Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Peter Sorensen, po zhvillon një vizitë të rëndësishme tre ditore në Kosovë. Fillimisht u takua me presidenten, Vjosa Osmani, me të cilën diskutoi për një sërë temash, por me fokus tek dialogu Prishtinë-Beograd.
Presidenca njofton se zonja Osmani paraqiti vërejtjet e saj për draft-statutin e asociacionit të propozuar nga BE-ja, duke kërkuar që të trajtohen me seriozitet në mënyrë që të parandalohet një rrezik i madh për funksionimin normal të shtetit të Kosovës.
Më pas Sorensen u takua dhe me kryeministrin, Albin Kurti. Shefi i qeverisë prezantoi disa kërkesa si heqja e masave ndaj Kosovë, dorëzimi i kryeterroristit Milan Radoiçiç dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes së normalizimit. Ndërkohë, vetë ndërmjetësuesi Sorensen e konsideroi një “fillim të mirë” vizitën e tij në Prishtinë.
“Biseduam se si mund të vazhdojë dhe të ecë përpara ky proces. Është një fillim i mirë. Po, objektivi është, sigurisht, që procesi të vazhdojë dhe të ecë përpara. Tani për tani, objektivi im është të flas me njerëzit dhe të kuptoj se ku qëndrojnë ata në lidhje me këtë çështje. Kam bashkëbisedues këtu në Prishtinë, por gjithashtu duhet të shkoj edhe në Beograd. Dhe pasi t’i kem zhvilluar këto biseda, mund të ulem dhe të vlerësoj se ku ndodhemi. Por është shumë e qartë që procesi i dialogut ka sjellë disa zhvillime të rëndësishme dhe ne duhet të ndërtojmë mbi to”, tha përfaqësuesi i Posaçëm i BE për Dialogun Peter Sorensen.
Sorensen u pyet lidhur me nevojën për kompromis në dialog. “Dialogu ka të bëjë me sigurimin që palët të takohen. Nëse kjo do të thotë kompromis apo jo, këtë e përcaktojnë palët”, shtoi ai.
Lidhur me një fillim të ri ose jo të dialogut, Sorensen konfirmoi se do të punojë sipas mënyrë së tij. (A2 Televizion)