Hekuran Murati ishte kandidati i radhës nga Lëvizja Vetëvendosje që nuk mori votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur kryeparlamentar. Seanca e së premtes u zhvillua përmes skenarit të njëjtë sikurse e kaluara pa ndonjë ndryshim në qëndrime pavarësisht emrit tjetër.
Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e vegjël nuk patën më shumë se 57 vota për ministrin në detyrë të Financave.
“Opozita po dëshiron ta kthejë situatën para 14 shkurtit të vitit 2021 dhe jo që të vazhdojë qeverisja e mirë pas vitit 2021 e tutje, jo që të vazhdojë qeveria Kurti 3”, tha Albulena Haxhiu.
Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë përsëritur qëndrimin se janë të gatshëm të votojnë një kandidat unifikues.
Sipas tyre, Kurti dëshiron të shfrytëzojë afatin 30 ditor për t’ia zgjatur jetën qeverisjes së tij pasi nuk i ka numrat.
“Tallja me qytetarët e Kosovës dhe me institucionet e Republikës nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje po vazhdon edhe sot, ata sollën edhe njëherë një kandidat që e dinin saktë që nuk i merr votat sepse e kemi bërë tashmë të qartë Partia Demokratike e Kosovës nuk e voton asnjë nga anëtarët e ish kabinetit Kurti”, tha kreu i PDK, Memli Krasniqi.
“Unë e shoh se Kurti po e vazhdon, shpresoj që e ndryshon këtë praktikën për ta shpenzuar këtë 30 ditëshin. Ai e ka ndarë mendjen ta ushtrojë pushtetin si ushtrues detyre sa më gjatë që mundet sepse po e sheh që nuk e ka votën për të rifituar pushtetin”, tha kreu i AAK, Ramush Haradinaj
Lidhja Demokratike dhe Nisma Socialdemokrate thonë se nuk mund të ketë zgjidhje pa një marrëveshje politike.
Nëse LDK nuk është e interesuar për asnjë bashkëpunim me VV-në, Nisma thotë se duan marrëveshje që garanton jetëgjatësi të qeevrisjes.
“Nuk e zgjidhë asnjëherë situatën nëse nuk ka marrëveshje politike. Pozicioni ynë është i tillë. Ne kemi thënë ‘faleminderit, nuk jemi të gatshëm të hyjmë në një mandat qeverisës me partinë e parë’, për shkak të të gjitha arsyeve që i kemi dhënë”, tha nënkryetari i LDK, Lutfi Haziri.
“Unë besoj që këto ditë që kanë mbetur duhet të shfrytëzohen nëse duam që të ndërtojmë institucionet kjo është rruga çfarëdo zgjidhje parciale provokon situata tjera e jo krijim të institucioneve”, u shpreh kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj.
Kosova ende nuk ka konstituuar Kuvendin i cili është zgjedhur në muajin shkurt. Seanca e radhës është caktuar për ditën e diel. (A2 Televizion)