Kuvendi i Kosovës voton projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë

Nga Ideal Gola
17 Prill 2026, 18:16 | Politikë

Kuvendi i Kosovës voton projektligjin për Byronë Shtetërore

Me 81 vota pro, Kuvendi i Republikës së Kosovës sot ka votuar në lexim të parë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me mazhorancen qe e konsideroi si një hap të rëndësishëm në forcimin e mekanizmave për luftimin e korrupsionit dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Gjatë seancës plenare, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, përveç prezantimit të projektligjit, iu përgjigj edhe pyetjeve të deputetëve, duke ofruar sqarime të detajuara mbi përmbajtjen e projektligjit.

Ministrja Gërvalla tha se Qeveria e Kosovës, përmes Projektligjit për Byronë, do të luftojë korrupsionin ashtu siç edhe janë zotuar.

“Nuk duam të krijojmë përshtypjen e luftimit të korrupsionit, por duam, ashtu siç jemi zotuar, ta luftojmë atë”, tha Ministrja Gërvalla.

Po ashtu, Ministrja Gërvalla vuri theks të veçantë në pavarësinë e Byrosë, duke theksuar se ajo i jep llogari Kuvendit dhe jo ekzekutivit, çka garanton funksionim të pavarur dhe të paanshëm.

“Pavarësia e Byrosë është një element shumë i rëndësishëm, andaj ja vlen jo vetëm gjatë miratimit të ligjit, por edhe pas tij të jemi tepër të kujdesshëm dhe të respektohet në maksimum pavarësia e Byrosë, e cila i jep llogari Kuvendit dhe jo ekzekutivit”, deklaroi ajo.

Tutje, Ministrja Gërvalla sqaroi se Projektligji për Byronë përcakton në mënyrë të plotë procedurën e konfiskimit civil, duke përfshirë të gjitha elementet thelbësore si inicimi i procedurës, mbledhja dhe verifikimi i informatave, trajtimi gjyqësor dhe vendimmarrja përfundimtare.

Ajo theksoi se të gjitha çështjet që lidhen me të drejtat dhe detyrimet e palëve janë të rregulluara drejtpërdrejt me projektligj, ndërsa aktet nënligjore do të mbulojnë vetëm aspektet administrative të funksionimit të brendshëm të Byrosë.

Duke folur për shqetësimet lidhur me përfshirjen e familjarëve, ajo sqaroi se projektligji nuk synon qytetarët e zakonshëm dhe se trajtimi do të bëhet vetëm në rastet kur ekziston një shpërputhje e konsiderueshme e pasurisë.

“Nuk kemi asnjë gatishmëri për të gjetur asnjë arsye, as familjare, as shoqërore, as profesionale, as shëndetësore, as morale për t’i amnistuar ata që pasurinë e kanë fituar në kurriz të tatimpaguesit”, deklaroi Ministrja Gërvalla.

Ministrja Gërvalla ritheksoi se çdo amendament do të shqyrtohet në fazën e duhur parlamentare, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të këtij projektligji. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos