Zgjedhja e Presidentit, opozita pa qëndrim të unifikuar. Zgjedhjet në horizont

Nga Ideal Gola
13 Prill 2026, 23:27 | Politikë

Tri partitë kryesore shqiptare në Kuvend duket se nuk janë në të njëjtën linjë sa i përket çështjes së Presidentit. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku është i vetmi lider opozitar që takoi kryeministrin Albin Kurti pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. 

Bedri Hamza i PDK-së ka refuzuar një tjetër takim me Kurtin derisa ky i fundit të sqarojë hapat e radhës.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk ka marr ftesë për takim nga Kurti, por së fundi refuzoi të takonte edhe kreun e LDK-së, shkruan A2.

Në fundjavë, Abdixhiku konfirmoi se është takuar me Hamzën për të diskutuar qëndrimet që kanë për çështjen e presidentit, ndërsa tha dëshiroi të takonte edhe Haradinajn me qëllimin më të mirë.

“Si duket, zotëri Haradinaj e ka keqkuptuar mirësinë time për të pasur komunikim, por që s'do të takohet punë e madhe”, tha Abdixhiku.

Kjo krisje mes LDK-së dhe AAK-së erdhi në një moment kur po përflitej gjithnjë e më shumë për një koalicion të mundshëm në rast të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Arbnor Sadiku, njohës i çështjeve politike, shprehet: “Ajo çka mund të konkludohet deri më tani është e vërteta që opozita ka vepruar shpeshherë e shpërqendruar dhe pa qëndrime të sakta. Ndonëse zoti Abdixhiku është munduar së fundi dhe e ka përcjellë njëfarë mesazhi, atë që po e quajmë ‘koalicioni i së djathtës’, a do të arrijë ta kryejë edhe si, domethënë version final, apo të mbetet vetëm si ide, mbetet të shihet”.

Njohës të çështjeve politike mendojnë se të tri partitë opozitare duhet të kishin një kandidat të pëbrashkët dhe ta kushtëzonin Kurtin me zgjedhjen e tij nëse dëshironin të shmangen zgjedhjet: “Ndoshta mund të kishin një kandidat të përbashkët për pozitën e presidentit, në mënyrë që të balancohej dhe të hidhej para aktit të kryer zoti Kurti. Domethënë, në qoftë se flet me njërën prej partive opozitare, do të kishte folur me të gjitha dhe ne kemi një kandidat të unifikuar. Siç duket kjo nuk ka ndodhur dhe pothuajse ka njëfarë lloj pajtimi të dyanshëm që vendi do të shkojë në zgjedhje”.

Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku janë dy kandidatët zyrtarë për President që janë propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Në këto kushte, për një kandidat të tretë duhet të bashkohen firmat e deputetëve të partive opozitare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos