S’ka takime mes liderëve, PDK: Kurti nuk ka çuar ftesë, ka edhe opsione të tjera

Nga Ideal Gola
14 Prill 2026, 23:56 | Politikë

Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë të qartë Lëvizjes Vetëvendosje se ka alternative të tjera për të zgjedhur Presidentin nëse duan që t’i japin epilog kësaj çështjeje pa ta.

Nga kjo parti thanë se grupi i tyre parlamentar i ka vetëm 22 deputetë nga 120 në total dhe mund të bëhen votat edhe me partitë e tjera.

Vlora Çitaku nga PDK u shpreh: “Shumica parlamentare, nëse është e interesuar për të zgjedhur Presidentin, nuk e ka opsion të vetëm bashkëbisedimin dhe dakordimin me PDK-në. Ka edhe opsione të tjera”.

Kryeministri Albin Kurti ende nuk e ka formalizuar kërkesën e tij për takime me përfaqësues të kësaj partie.

“Kemi kërkuar nga zoti Kurti që të formalizojë kërkesën e tij karshi Partisë Demokratike të Kosovës në një letër të shkruar. Deri në këtë moment, një letër e tillë nuk ka ardhur në adresë të Partisë Demokratike të Kosovës, ndoshta ka adresa të tjera”, tha Çitaku.

Që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Kurti ka takuar vetëm liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Para mediave, Abdixhiku deklaroi se nuk e mbështesin idenë që Presidenti i ardhshëm të jetë i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi një parti nuk mund të mbajë të tri postet kryesore.

Nga Lëvizja Vetëvendosje thanë se nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga LDK dhe se përpjekjet do të vazhdojnë.

Arbërie Nagavci deklaroi:“Unë nuk e di që kanë dhënë një përgjigje negative, gjithsesi unë pres edhe besoj që jo vetëm ne si deputetë të grupit tonë parlamentar, por edhe qytetarët e Republikës së Kosovës presin që të gjejmë një zgjidhje, të kemi propozime konkrete edhe të gjendet një zgjidhje e të votohet presidenti në Kuvend”.

Parlamentit i kanë mbetur edhe dy javë kohë për të zgjedhur Presidetin e Kosovës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos