Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti i ka dërguar ftesë Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të zhvilluar një takim të përbashkët, me qëllim konstituimin e Kuvendit.
Në ftesë thuhet se duhet zgjedhur kryesia e Kuvendit, fillimisht kryetarët dhe më pas nënkryetarët, tre prej të cilëve sipas VV, do të jenë nga partitë që morën më shumë vota në zgjedhje.
Këtë ftesë të VV e ka konfirmuar edhe kryetarja e Gurpit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka deklaruar për A2CNN se "po, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka pranuar një letër nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje/deputeti Albin Kurti”.
Por ajo thotë se as kryetari Abdixhiku dhe askush nga LDK nuk do të marrë pjesë në takimin e planifikuar nga Kurti.
“Megjithatë, as kryetari Abdixhiku dhe askush nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të merr pjesë në këtë takim.
Pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës është në bazë të rezultatit zgjedhor, dhe nuk është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër. Për me tepër nënkryetarët votohën në pako nga Kuvendi, sipas praktikës së deritanishme.
Ndërsa zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është çështje e marrëveshjes politike mes partive që synojnë të krijojnë shumicën dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për një marrëveshje të tillë", ka theksuar Bajrami.
(A2 Televizion)