Shantazhe edhe për vota, mbyllen 4 qendrat për punë sociale në veri

Nga Ideal Gola
21 Shkurt 2025, 20:13 | Politikë

Gjatë ditës së premte në katër komunat veriore me shumicë serbe në Kosovë janë mbyllur katër Qendra për Punë Sociale që funksionin sipas sistemit serb.  

Së fundmi, këto qendra ishin shfrytëzuar për të bërë presion tek qytetarët serbë për të votuar Listën Serbe ndryshe të gjitha ndihmat që jepeshin nga shteti serb përmes këtyre qendrave do të ndaleshin. 

Veton Elshani, zv/drejtor i policisë në veri, u shpreh për A2: “Qendra për Punë Sociale funksionon jashtë ligjeve të Republikës së Kosovës, kemi dyfishim për falsifikim të dokumentacionit, po ashtu duke ditur që ajo qendër funksionon në atë formë kemi dyshuar që edhe tri qendra të tjera për punë sociale në Mitrovicë Veri, Zveçan dhe Leposaviq e bëjnë të njëjtën gjë”. 

Hetimet për këto qendra erdhën vetëm pas denoncimit të një qytetari dhe arrestimit të katër femrave që punonin aty se kishin shantazhuar për votë. Ndikimi i këtyre institucioneve në përcaktimin e votës e bën Serbinë fajtore për ndërhyrje në zgjedhjet parlamentare të Kosovës. 

Skënder Sadiku, zv/kryesues i Kuvendit Mitrovicë Veri, tha: “Dëmi është i pariparueshëm që është bërë në zgjedhjet e fundit, jo vetëm këto, ka qenë fati që është paraqitur rasti në polici edhe poplicia i ka hetuar, por fatkeqsisht është prishur imazhi i këtyre zgjedhjeve pasi përmes këtyre institucioneve është bërë presion në komunitetin serb”. 

Edhe në aspektin e sigurisë, mbyllja e këtyre institucioneve paralele konsiderohet veprim i duhur.  

Arben Dashevci, ekspert i sigurisë, deklaron: “Këto kanë qenë të përcaktuara krejt për tjetërçka, edhe pse kanë qenë ilegale dhe kanë vepruar për një shtet tjetër, kurse ne jemi shtet i pavarur dhe sovran, në anën tjetër i kanë penguar qytetarët e Republikës së Kosovës që të përcaktohen në zgjedhje”. 

Lista Serbe reagoi duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti se “po sulmon serbët” në ditët e fundit të tij në pushtet. Ky subjekt takoi punëtorët që punonin në këto qendra duke iu siguruar se pagesa mujore do të vazhdojë. 

“Ata njerëz paguhen vetëm sa të mbajë atë establishmentin politik, të mbajë ato propaganda në atë shtet, gjithmonë kundër Republikës së Kosovës, me luftën e saj hibride, luftën e saj speciale, me dezinformim dhe sabotazhe të ndryshme”, thotë Dashevci. 

Përkundërse në garë për zgjedhje morën pjesë 6 subjekte politike serbe, rezultati mbeti i pandryshuar. Edhe një mandat që u fitua nga partia e ministrit aktual Nenad Rashiq ka shumë mundësi t’i kalojë Listës Serbe që mund t’i ketë sërish ajo të dhjetë ulëset e rezervuara për serbët në Kuvendin e Kosovës. 

Skënder Sadiku, zv/kryesues i Kuvendit Mitrovicë Veri tha: “Shpresoj që në zgjedhje lokale do të kalojnë ndryshe, do të frymohet më lirshëm dhe në mënyrë demokratike për të gjithë qytetarët, posaçërisht për qytetarët e komunës së veriut të Mitrovicës të cilët definitivisht e meritojnë një të ardhme më të mirë”. 

Në lidhje me mbylljen e Qendrave për Punë Sociale në veri nuk ka pasur të arrestuar, por janë intervistuar 3 punonjës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos