Zgjedhjet në Kosovë, prokuroria po heton dy raste me “trenin bullgar”

Nga A2 CNN
20 Shkurt 2025, 21:04 | Politikë

“Ndër raste të cilat po hetohen nga prokuroria për manipulime të mundshme me vota janë edhe dy raste të njohura me metodën si “treni bullgar”, një në Shtime dhe një në Gjakovë”.

Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për organizim të këtyre metodave të vjedhjes së votave edhe në Pejë e Vushtrri. Ndërsa Prokuroria në Gjakovë dhe Ferizaj kanë konfirmuar për A2 CNN se po hetojnë rastet e mundshme përmes kësaj mënyre pa dhënë detaje në këtë fazë të hetimit, ajo e Pejës nuk ka konfirmuar nëse ka ndonjë rast të hapur, ndërsa Prokuroria e Mitrovicës ka thënë se nuk po kryen hetime për ndonjë rast me “trenin bullgar” në Vushtri.

Juristi Arbër Jashari tha: “Nëse vërtetohet që vërtetë ka pasur diçka të tillë në qendrat e votimit në vendet e votimit, atëherë mund të cenohet integriteti i votimit në ato qendra dhe mund të jetë bazë për përsëritjen e procedurë ssë votimit”.

“Treni bullgar” nënkupton që një votues merr një fletë të bardhë dhe e fut në kutinë e votimit në vend të fletës origjinale. Pastaj fletën origjinale e merr dhe e nxjerr jashtë qendrës së votimit dhe ia jep një personi që qëndron në krye të këtij organizimi i ci lie plotëson dhe ia kalon një votuesi të radhës. 

Pastaj, ky i fundit në kutinë e votimit e vendos fletëvotimin e dhënë nga jashtë dhe atë origjinalen të paprekur e nxjerr sërish jashtë dhe i jep të njëjtit person dhe vazhdon kështu. Megjithatë, për njohësit e procesit gjetja e disa fletëvotimeve të pavulosura nuk mjafton për të dëshmuar për “tren bullgar” por duhet të gjendet zinxhiri i njerëzve që potencialisht mund ta kenë aplikuar.

“Nëse prokuroria arrin të mbledhë prova e me të cilat vërtetohet që dikush jashtë qendrave të votimit ka qëndruar dhe ka manipuluar, i ka plotësuar ato fletëvotime, duke paguar në të njëjtën personat të cilat i kanë nxjerrë fletët e votimit jashtë, atëherë mendoj që është një bazë për të dyshuar se ka pasur manipulim të votës përmes të ashtuquajturit treni bullgar”, tha Jashari.

Përpos rasteve me “trenin bullgar”, në Gjilan po hetohen edhe dy raste për “cenim të fshehtësisë së votës”. Për të njëjtën vepër dyshime ka edhe për një rast në Vushtrri. Ndërsa rastet në Mitrovicën e Jugut dhe Zubin Potok ku janë arrestuar pesë persona kanë ndodhur një ditë para zgjedhjeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos