Limaj do t’i bashkëngjitej koalicionit qeverisës?

Nga A2 CNN
21 Shkurt 2025, 07:47 | Politikë

Limaj do t’i bashkëngjitej koalicionit qeverisës?

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar rritje duke arritur në 40.97% të votave.

Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 22.47%, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka rënë në 17.14%. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë ka shënuar gjithashtu rënie, duke marrë 7.44% të votave.

Me përpunimin e 92% të vendvotimeve, rezulton se LVV do të vazhdojë të ketë 47 deputetë, PDK do të rritet për një deputet, duke arritur në 26, LDK do të bjerë për një mandat, duke mbetur me 19, ndërsa AAK do të vazhdojë me 8 deputetë.

Në legjislaturën e nëntë, Nisma Socialdemokrate do të përfaqësohet me tre deputetë: Fatmir Limaj, Arbresha Krasniqi dhe Xhevahire Izmaku.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka bërë thirrje për bashkëpunim mes partive politike për të shmangur një krizë qeveritare pas zgjedhjeve.

Ai ka theksuar se Nisma dhe AAK janë parti të ndara, por nuk e ka përjashtuar mundësinë e një partneriteti të mundshëm pas zgjedhjeve.

“Kushdo që na bën ftesë për të biseduar, ne do të përgjigjemi për të mirën e vendit”, ka deklaruar Limaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos