Masat ndëshkuese të BE, disa shtete skeptike, LVV: E padrejtë të kërkohet votë unanime

Nga Ideal Gola
5 Qershor 2024, 23:14 | Politikë

Kosova vijon të kërkojë heqjen e masave ndëshkuese që i janë vënë nga Bashkimi Evropian prej një viti pas tensionimit të situatës në komunat veriore.

Për këtë qëllim, ambasadori gjerman Jorn Rohde ishte ftuar në takim në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme, i cili tha se “një vendim pritet të merret shpejtë”.

“Kemi pasur gjithnjë diskutime shumë miqësore dhe cilësore për çështjet aktuale, Këshillin e Evropës, heqjen e masave dhe nënvizova qëndrimin e Gjermanisë, si partner shumë i ngushtë i Kosovës në Evropë, dhe se shumë shpejt do të kemi vendime të cilat e zhbllokojnë situatën”, tha Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, javën e ardhshme pritet t’iu dorëzojë vendeve anëtare raportin në të cilin do të sqarohet nëse janë plotësuar kushtet për largimin e masave ose jo.

Në Prishtinë nuk e dinë çfarë do të përmbajë raporti, por e quajnë të padrejtë që kërkojnë votë unanime për t’i larguar.

“Është i padrejtë edhe fakti që një vendim i tillë para një viti s'ka pasur nevojë të votohet fare ndërkohë që tash kur po flasim një vit më pas dhe kur po kërkojmë që këto masa të hiqen po na thuhet që ka nevojë që të ketë votë të plotë të shteteve anëtare të BE për të marr një vendim të tillë”, u shpreh Arbëreshë Kryeziu Hyseni, deputete, kryetare e komisionit të jashtëm.

Mes vendeve anëtare ka ende dallime nëse masat duhet të hiqen menjëherë apo në mënyrë graduale, edhe pse Qeveria e Kosova pretendon se i ka plotësuar kushtet për t’i larguar menjëherë.

“Në mesin e vendeve anëtare të BE janë 5 shtete që nuk e njohin fare Republikën e Kosovës dhe besoj që disa nga to mund të shkaktojnë probleme të tilla që mund të jenë kundër faktit që duhet të hiqen masat dhe të merret një vendim i tillë, por ka edhe shtete të tjera që janë shtete njohëse por aktualisht nuk kanë raporte biltarerale të shëndosha me Kosovën për arsye të ndryshme politike”, tha Arbëreshë Kryeziu Hyseni, deputete, kryetare e komisionit të jashtëm.

Për partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, operacioni për mbylljen e institucioneve financiare në veri nuk duhet të përfshihet në raport dhe as të ketë ndonjë ndikim negativ për largimin e masave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos