Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dha një intervistë për Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, nga ku foli për politikën e brendshme, arritjet e qeverisë së tij, sigurinë dhe kërcënimet nga Serbia, marrëdhëniet me Edi Ramën, por edhe për çështje të tjera delikate.
Ku është Kosova 25 vite pas Çlirimi?
Në fillim Kurti foli për 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës dhe arritjet e këtij shteti gjatë këtyre viteve. Kryeministri i Kosovës u shpreh se vendi ka bërë ndryshime gjigante.
“Të gjithë ata të huaj që po vijnë për të shënuar bashkë me ne 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, nëse nuk kanë ardhur më herët, nuk po mund ta njohin vendin tonë, pasi ndryshimet janë gjigante. Kjo na bën krenar, por edhe pak të pikëlluar dhe me dhimbje për ata që nuk janë më dhe e paguan çmimin më të lartë për shtetin dhe lirinë që e kemi. Ajo ishte koha kur 120 mijë e shqiptarëve ishin të djegura ose të rrënuara. Për 25 vjet është bërë përparim i madh, përveçse kemi nevojë për drejtësi, përveçse për progres, për këtë nevojitet trysni më e madhe e faktorit ndërkombëtar, që kriminelët që janë në pushtet në Serbi, përveçse sillen të lirë atje, të përgjigjen përpara drejtësisë në Kosovë dhe asaj ndërkombëtare. Plagët që na kanë mbetur të hapura në këto 25 vjet, të na mbyllen.
Por, a është bërë mjaftueshëm gjatë këtyre viteve për dokumentimin e asaj se çfarë ka ndodhur gjatë periudhës së luftës?
“Jemi vonë, por jo tepër vonë. Faktorët ndërkombëtarë kanë qenë të suksesshëm në vitin 1999 kur është vendosur paqja në Kosovë, me hyrjen e trupave të NATO-s dhe me krijimin e mundësisë së kthimit të refugjatëve. Shqiptarët u kthyen menjëherë në vatrat e tyre. Kjo ishte edhe llogaria e gabuar e Slobodan Miloshevicit, i cili besonte se pas operacionit “Patkoi”, i cili i dëboi shqiptarët përveçse i vrau e i masakroi, do të bënte që ata të mos ktheheshin më kurrë në vendlindjen e tyre. Por kur është dashur të kalohej nga faza humanitare tek ajo e zhvillimit dhe e drejtësisë, as UNMIK dhe as EULEX nuk dhanë rezultate. Është për të ardhur keq që edhe drejtësia në Kosovë nuk ka dhënë rezultatet e pritura prej nesh. Në fund të muajit maj janë bërë tashmë 5 vite prej sa e kemi mundësuar gjykimin dhe dënimin në mungesë të kriminelëve të luftës. Mirëpo, në gishtat e duarve mund të numërohet kjo që është bërë. Numri më i madh i masakrave nuk kanë askënd të akuzuar, gjykuar e dënuar. Unë besoj se ka shumë vend e urgjencë që prokuroria dhe gjyqësori të jenë më efikase, sepse shumë prej dëshmitarëve po plaken e po ndërrojnë jetë.
Logoja për 25-vjetorin e Çlirimit, një pëllumb i bardhë dhe shqiponja dykrenare, pse kjo zgjedhje?
“Dita e 12 qershorit në Kosovë nuk konsiderohet vetëm dita e Çlirimit, por edhe dita e paqes, meqenëse pa çlirim nuk ka paqe. Ajo është dita kur forcat e NATO-s kanë hyrë në Kosovë, por nuk është dita kur çizmja e ushtarit apo e policit serb iku nga Kosova. Ajo është 20 qershori.
“Kërcënimi i Serbisë është real”, Kurti: Të përgatitemi që të mendohen dy herë para se të na sulmojnë
Në emisionin Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se kërcënimi nga Serbia është real.
Ai theksoi se Kosova është duke u përgatitur që serbët të mendohen dy herë nëse do sulmojnë. Kurti përmend shtimin e buxhetit për ushtrinë, shtimin e numrit të ushtarëve, por edhe blerjen e armatimeve nga SHBA, por dhe nga Turqia.
“Vazhdimisht Serbia bën kërcënime, por ne nuk e dimë kur do t’i materializojë ato. Përvoja dhe historia na mëson se ai që bën kërcënime, një ditë do të edhe i aktualizon kërcënimet. Duhet të jemi vigjilentë dhe sa më të përgatitur, prandaj dhe po e forcojmë ushtrinë tonë, e kemi hequr tavanin e ushtarëve, e kemi zgjedhuar moshën e ushtarëve nga 23 në 25 vjeç. Në 3 vite kemi shtuar 1852 ushtarë në FSK, edhe 600 ushtarë të rinj do të vijnë këtë vit. Nga SHBA, ne po blejmë raketa antitank “Javelin”, ndërsa nga Turqia po blejmë dronë Bayraktar. Përveç kësaj, e kemi katërfishuar numrin e trajnimeve për ushtarët dhe oficerët jashtë vendit, është dyfishuar buxheti për mbrojtjen. Ne po i bëjmë këto pikërisht se ekziston kërcënimi real i Serbisë, që shpeshherë është i shoqëruar edhe me kërcënimet e Rusisë. Ajo fjala që thotë “ka përfunduar beteja, por s’ka përfunduar lufta”, këtu vlen e kundërta, me Serbinë “ka përfunduar lufta, por nuk ka përfunduar beteja” në arenën ndërkombëtare, rrotull kufijve tanë, në luftë me krimin e organizuar, vazhdimisht kemi beteja, ku na duhet të përballemi me Serbinë, e cila nuk distancohet nga Miloshevici, nuk distancohet nga Putini, nuk pranon krimet e kryera në Kosova dhe nuk na e njeh pavarësinë.
Së fundmi, ata bënë një ushtrim ushtarak në Peshter të Sanxhakut, rreth 30 kilometra nga kufiri me Kosovën, vetëm 3 kilometra nga Mali i Zi dhe me armatim ofensiv. Ata nuk e bënë këtë në Vojvodinë nga Hungaria, por e bënë në drejtim nga Mali i Zi dhe Kosova. Është shumë e qartë se nervozizmi i tyre për suksesin e shtetit të Kosovës po përkthehet në agresivitet të shtuar. Prandaj, edhe neve na duhet të marrim masat, që të jemi sa më të përgatitur, në mënyrë që të mendohen dy herë përpara se të na sulmojnë, kështu që të mos na sulmojnë. Nëse vendosin të na sulmojnë, atëherë të dështojnë ashtu siç kanë bërë nga hera”, tha Albin Kurti në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN.
“Rusia mund të përdorë serbët për të ndezur Ballkanin!” Kurti: Ja pse nuk përsëritet “Banjska”
Serbia e 30 në rang global sa i përket armatimit. Por sa e gatshme është Kosova të mbrohet? Përgjigje kësaj pyetjeje i dha në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
“Ne nuk e kemi ndërmend të bëjmë ushtri më të madhe apo më të fuqishme se Serbia tani. E ardhmja është e hapur, natyrisht, por ne duhet të bëjmë kapacitete dhe aftësi ushtarake të tilla që sulmin e Serbisë e bëjnë të paleverdishëm. Ata e provuan me njësitë paramilitare me dhjetëra terroristë më 24 shtator. Ata na e vranë në pritë rreshterin tonë Afrim Bunjaku, por u vranë edhe 3 terroristë serbë dhe ikën me turp. 4 depo armatimi i kemi shkatërruar në 2023, më e madhja me mbi 5 milionë euro armatim dhe municion, në Zveçan. Gjithashtu, i kemi mbyllur 27 rrugë ilegale nga 35 gjithsej. Rrugët e tjera ilegale i kemi mbyllur në bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Kemi shkatërruar 16 laboratore droge, 9 prej tyre në veri dhe 6 laboratore për kriptovalutat. Krimi i organizuar, kontrabanda dhe agresiviteti serbomadh i Beogradit nuk janë dy gjëra të ndryshme. Duke luftuar krimin dhe korrupsionin, në fakt, ne po mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial dhe po s’mbrapsim Serbinë. Synimi jonë është të kemi një ushtri, e cila na mbron, por dhe që sulmin eventual e bën të paleverdishëm. Unë besoj se Serbia e ka kuptuar këtë gjë. Natyrisht, ne kemi edhe partnerët, miqtë tanë, kemi Republikën e Serbisë, kemi shqiptarët në Ballkan dhe jo vetëm dhe e kemi NATO-n, e cila edhe pse nuk na ka pranuar në gjirin e saj, ne e kemi të integruar në arkitekturën tonë të sigurisë”, tha Kurti.
Më tej, Kurti komentoi edhe reagimet e Serbisë pasi Kosova siguroi “Javelin”-ët nga Amerika. Ai tha se “Ata i kanë 14 avionë luftarakë Mig-29, 8 i kanë marrë nga Bjellorusia, 6 nga Federata Ruse, kanë blerë edhe sistemin FK3 që e ka për eksport Kina dhe prodhojnë armatim në fabrikat e tyre. Nuk ishim ne me Afrim Bunjakun në Vranje, por edhe është Radoicic, i cili erdhi në Zveçan. Ata nuk mund të pretendojnë që janë të sulmuar nga Kosova. Në mënyrë që mund të sulmojnë pretendojnë se janë të rrezikuar nga ne. Kjo i ngjan shumë skenarit të Kremlinit, i cili thoshte se Ukraina po përgatitet për sulm dhe ata nisën pushtimin nga ana tjetër”.
Kurti tha më tej se Serbia është në duart e Rusisë dhe nëse Putinit do t’i duhej një konflikt i ri, mund ta bëjë këtë me anë të Serbisë dhe jo duke ndarë ushtrinë e tij.
“Unë besoj se ka më shumë ngjashmëri sa duket mes Beogradit zyrtar dhe Kremlinit. Nuk është e rastësishme që Akademia në Serbi, mediat në Serbi, Kisha ortodokse, policia, ushtria, janë aq shumë të përfshira nga elementët e Putinit dhe andaj edhe i intereson Moskës që në një moment të caktuar të ketë një zgjerim të konfliktit. Ata e kanë Ballkanin të përshtatshëm meqenëse e kanë një regjim që i mbështet ata. Nëse Federata Ruse do të duhet të fillojë një luftë të re, atëherë do të duhet ta ndajë ushtrinë për atë luftën e re, ndërkohë që në Ballkan këtë gjë mund t’ia delegojë Serbisë. Prandaj, kërcënimi serb është më i madh ngase duket. Megjithatë, unë besoj se kërcënimi në të njëjtën kohë ka një lloj efekti të paparashikuar nga ana e tyre. Kjo po ndërton mbrojtjen e imunitetit të Kosovës”.
Për Kurtin, nuk do të përsëritet një rast i ngjashëm me Basnjskën, por rreziku është që serbët të përdorin mënyra të tjera me qëllim të njëjtë.
“Nuk besoj se ata do ta përsërisin Banjskën, por më shumë do të provojnë të bëjnë një gjë me qëllimin e njëjtë, por me mënyra të tjera. Ata e kanë marrë mësimin më 24 shtator dhe shumica dërrmuese e kriminelëve kanë ikur nga veriu i Kosovës. Ata janë multimilionerë në Serbi sepse janë pjesë e krimit të organizuar. Kriminelët e luftës nga vitit 90 u patën bërë kriminelë të paqes në këtë shekull dhe tani dëshirojnë luftë që bëhet si strehë lirie për ta. Kriminelët e duan luftën sepse në njëfarë mënyrë aty krimi i tyre fashitet”, tha Kurti.
“Veriu kurrë s’ka qenë më i sigurt, kriminelët kurrë s’kanë qenë më të rrezikuar!”
“Veselinovic, Radoicic, të gjithë këta i përkasin strukturave paramilitare në Serbi, të cilët kanë prona të mëdha, pasuri marramendëse, të cilët organizojnë elementët kriminale për ta destabilizuar Kosovën”.
Kështu u shpreh në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN kryeministri i Kosovës Albin Kurti teksa foli për lidhjet që ka Serbia me kriminelët në veri. Më tej, ai bëri edhe një krahasim mes Serbisë dhe Rusisë, duke krahasuar edhe Prigozhin me Radoicic.
“Në dallim nga vitet 90 kur ka pasur një nacionalizëm të masave si lëndë djegëse për makinerinë e luftës së diktatorëve. Nëse do të dërgoje në atë kohë një maune me kallashnikovë në cilindo fshat në Boshnjë, Kroaci apo edhe në Kosovë, të gjithë do ta merrnin një armë. Tashmë nuk është më ky rasti. Në Kosovë, nëse dikush provon t’i japë dikujt armatim lajmërohet në polici. Prandaj çfarë po bëjnë qendrat hegjemonike të Beogradit? Po dëshirojnë të punojnë me struktura kriminale në mungesë të mbështetjes popullore. Këto grupe e kanë sot një lloj admirimi ndaj “ujqërve” të NATO-s nga Kremlini ose grupeve si Wagneri. Serbia në Ballkan sillet si një Rusi e vogël dhe Rusia e vogël e ka një Putin të vogël, i cili është Aleksandar Vucic, por e ka edhe Prigozhinin e vogël, i cili është Milan Radoicic. Në dallim nga Prigozhini, ky i Serbisë është i lirë dhe mbrohet nga pushteti dhe merr pjesë në fushatë zgjedhore për presidentin e Serbisë.
Unë besoj se drejtësia mund të vonojë, por do t’i kapë këta. Policia dhe inteligjenca te ne po bëjnë punë të shkëlqyer, nganjëherë edhe gjyqësori me prokurorinë, por këto dy të fundit do të mund të bënin shumë më mirë dhe shumë më tepër”, tha Kurti.
Kurti tha më tej se si po çlirohen serbët në veri nga grupet kriminale. “Veriu kurrë nuk ka qenë më i sigurt dhe kriminelët kurrë nuk kanë qenë më të rrezikuar. Paniku i tyre përcjellë edhe rrezik për qytetarët dhe forcat e sigurisë. Ata janë të interesuar për destabilizim dhe konflikte të reja”, u shpreh Albin Kurti në Debat në A2 CNN.
Kurti bën bilancin e qeverisë së tij në Debat, çfarë ka bërë më mirë se paraardhësit e tij
Në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndër të tjera, bëri edhe një bilanc të qeverisë së tij.
“Përveç sigurisë dhe mbrojtjes janë edhe tri fusha ku ne ndjeshëm e kemi rritur buxhetin: Bujqësia, arsim dhe shëndetësi. Kjo ka qenë e mundur për shkak të rritjes ekonomike që pësuam. Përpara qeverisë sonë, Kosova e Kishte bruto produktin vendor në 6,7 miliardë euro, sot ka shkuar në 9,6 miliardë. Punësimi është rritur me 20 përqind krahasuar me pranverën e vitit 2021, janë dyfishuar eksportet, janë dyfishuar investimet e huaja direkte dhe jemi bërë kampion në Ballkan për të drejtat politike dhe liritë civile. Sipas FMN jemi të parët në Ballkan për rritjen e të hyrave buxhetore. Sipas Bankës Botërore jemi të parët në Ballkan me pakon për ballafaqim me inflacion dhe krizën energjetike si përqindje të bruto produktit”, tha ndër të tjera Kurti.
Kurti foli për rritjen ekonomike, duke thënë se këtë vit ajo do të jetë rreth 4 përqind. “Besoj se rritjen ekonomike e kemi rreth 4 përqind këtë vit. Rritja ekonomike në këto tri vite që lamë pas ka qenë mesatarisht rreth 6,2 përqind e bruto produktit vendor dhe Kosova me këtë ritëm përgjatë kësaj dekade besoj se do të bëhet një shtet i dëshiruar, jo vetëm për mërgatën tonë, por edhe të huajt. Në veçanti kemi rritur punësimin te gratë. Punësim dhe drejtësi dhe këtë gjë po e bëjmë. Rritjen e ekonomisë nuk e kemi ruajtur për shtetin, por e kemi shpërndarë në shoqëri, në bursa dhe jo vetëm”.
Programi për mërgatën
“Kemi një program të bazuar në modelin irlandez për mobilizimin dhe aktivizimin e mërgatës. Disa mund të kthehet. Të kalojmë në kthimin e trurit apo sesi ata mund të na ndihmojnë pa u kthyer në vendin tonë. Kjo strategji duhet të shtrihet përgjatë kësaj dekade”.
Kryeministri i Kosovës tha në A2 CNN se ai mendon se qeveria që ai drejton ka bërë pothuajse gjithçka më mirë se paraardhësit e tij në krye të vendit.
“Nuk mund të bëj gabime me asociacionin”, Kurti: Drafti i Lajçak të çohet në Komisionin e Venecias
Çështja e Asociacionit ishte një ndër temat më të diskutuara në Debat mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe gazetaret së A2 CNN, Alba Alishani.
Teksa bëri një rezyme të historisë së propozimeve për asociacionin, kreu i qeverisë së Kosovës, u shpreh se ai nuk mund të gabojë me këtë çështje. Ai risolli në mendje akordin e vitit 2013 mes Thaçit dhe Daçiç për të cilin Serbia insiston se duhet të zbatohet, por që vetë e ka shkelur me të dyja këmbët.
“Asociacioni është i shprehur në dy marrëveshje në mesin e 39 marrëveshjeve që kanë bërë pararendësit e mi me Beogradin. Atje janë marrëveshjet, nuk e mohoj ekzistencën e tyre. Por marrëveshja e vitit 2013 e nënshkruar mes Thaçit dhe Daçiç, i ka 15 pika, 6 prej tyre janë për Zajednicën. Marrëveshjen më të dashur që ka Serbia kërkon 6 nga 15 pika që ta respektojë dhe ta zbatojmë ne. 60% që e ka shkelur, nuk do që ta zbatojë. Në 2022 Beogradi dha urdhër në veri për zyrtarët që të tërhiqen nga sistemi i Kosovës. Nuk mund të kërkosh nga unë të zbatoj 40% e marrëveshjes kur vetë ke shkelur 60%.”, tha Kurti.
Më tej, Albin Kurti foli dhe për draftin e propozuar nga i dërguar Lajçak për asociacionin, për të cilin tha se duhet ta dërgojë në Komisionin e Venecias.
“Unë kam shprehur ofertën time, e cila duhet të pranohet fillimisht në parim. Unë nuk mund të sjellë frymën dhe germën pa u pranuar ofertën. Ata edhe më tutje insistojnë që duhet të kemi një normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, nëse e heqin nga ekuacioni, atëherë merremi vetëm me ndërkombëtarët.
Dokumentin e tyre, Lajçak dhe komisionerët e tjerë europianë ta çojnë draftin e tyre në Komisionin e Venecias. Dokumentin tim do e çoj në Kushtetuese. Nëse Vuçiç është pajtuar me marrëveshjen bazike, përse të mos e pranoj unë. Por nëse hiqet asociacioni, e shkatërrohet paketa, ashtu nuk pranoj. Ne jemi në të drejtën tonë. Presioni duhet të ishte në Beograd”, deklaroi Kurti duke shtuar se drafti që i është dhënë është “non paper”.
Përplasje me Vjosa Osmanin për Asociacionin dhe letrën e Gërvallës?
“Nuk kam asnjë problem.” Kështu është shprehur kryeministri i Kosovës Albin Kurti në “Debat”, teksa u pyet nga moderatorja Alba Alishani për zërat që flasin për një krisje në raportin e tij me Presidenten Vjosa Osmani.
I vendosur përballë faktit se Osmani reagoi e acaruar pas konsultimit të munguar me qeverinë për letrën për Asocacionin e komunave me shumicë serbe që ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, dërgoi në limitet e kohës në KiE, Kurti tha se përplasje të tilla ka pasur gjatë 3 viteve të qeverisjes, por janë tejkaluar me bashkëbisedime.
Shefi i legjislativit në Prishtinë refuzoi, siç ai tha, të bëjë analistin e studiove televizive për të komentuar marrëdhënien e tij me Presidenten.
Në rastin e Këshillit të Europës dhe dështimit për të kaluar atë prag, duket se kishte edhe një moskoordinim ndërinstitucional dhe këtu kamë një stimul nga letra që zonja Gërvalla e dërgoi dhe bëhej fjalë për një punë të nisur drejt GJK për në draft të Asociacionit që ndoshta do të ishte një iniciativë për zhbllokim në minutë të fundit. A e patë të arsyeshme dhe a kishte koordinimin e plotë të institucioneve të Kosovës?
Nuk mendoj se është më aktuale kjo temë, pasi 17 maji ishte dita kur do të mund të ndryshonte diçka me një ofertë të fundit që ne të shkruajmë statutin siç e ka bërë zonja Gërvalla dhe kjo nuk u bë sepse ideja ishte që të ketë një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave që Kosova të anëtarësohej. Meqenëse kjo nuk u bë atëherë tashmë do të presim mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave.
A keni shpresë për një seancë të mundshme të jashtëzakonshme, meqenëse do të ndryshojnë edhe balancat për shkak të zgjedhjeve?
Gjithmonë kemi shpresa, gjithmonë jemi optimist dhe punojmë me krejt çka dimë dhe mundemi, mirëpo në të njëjtën kohë për anëtarësimet dhe integrimet ndërkombëtare e kemi si udhërrëfyes kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë.
Kjo mungesë koordinimi pavarësisht tejkalimit të aktualiteti ka shqetësuar Presidenten tuaj të Republikës që ju akuzoi se nuk ishte një letër e konsultuar me të.
Ka shumë raste të këtilla edhe në të kaluarën kur nuk e kemi arritur që të përfshihet krejt çfarë kemi dashur dhe është nevojitur, por mua më duhet të shoh përpara tash.
Po flasim për konsultimin obligativ me Presidenten e Kosovës, e cila tha se këto janë justifikime qesharake dhe kishte një komunikim të pakoordinuar dhe jo në harmoni me kryeparlamentarin Konjufca.
Aty le të diskutohet ajo punë. Nuk është se nuk ka ndonjëherë dallime, por nuk ka dallime të cilat janë kundërthënie të pazgjidhshme, përkundrazi, përgjatë këtyre 3 viteve të gjitha dallimet, diferencat që kemi pasur, qofshin në aspektin e vlerësimeve apo operacioneve gjithmonë me bashkëbisedim i kemi tejkaluar. Ndonjëherë situata ka qenë më e vështirë, ndonjëherë më e lehtë por në bindjen time nuk është një situata alarmante dhe aktuale siç është përpjekur ta paraqesin.
Asnjë problem me Presidenten? Mos ndoshta këto përqasje të ndryshme e ka sjellë një lloj bekimi që ndërkombëtarët sa herë që kanë irritime ose pakënaqësi të vogla me ju duket se e gjejnë të kompensuar të Presidentja e Republikës?!
Nuk kam probleme. Nuk mund ta bëj unë analistin politik të studiove televizive në orët e mbrëmjes. Unë mund t’ju tregoj bindjen time njëherë dhe nuk kam diçka të re t’ju them në pyetje të vjetra.
Takimet në Bruksel, Kurti: Ja ku ndryshon Vuçiç në negociata nga ai që flet për mediat
Në intervistën për emisionin “Debat” në A2 CNN, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka nënvizuar se palët kanë avancuar shumë në dialog dhe nuk është nevoja të sulmohet Kosova, kur është Aleksandër Vuçiç ai që synon të shkatërrojë marrëveshjen e Ohrit, e cila duhet vënë në zbatim.
“Ne kemi shumë më shumë se dialog ne kemi marrëveshje. Nuk është nevoja të theksojmë procesin kur kemi rezultatin. Pse nuk po respektohet marrëveshja, përgjigja është në Beograd. Ne kemi avancuar shumë në dialog, është sukses i madhe dhe i BE e SHBA kjo marrëveshje bazike, që ka aneksin zbatues të Ohrit si pjesë integrale. Takimet nuk janë thelbi, thelbi është marrëveshja. Vuçiçi ka interes që të shkatërrohet marrëveshja, unë kam interes që të mbrohet marrëveshja.”
I pyetur nga moderatorja Alba Alishani se si janë përballjet me Vuciç në të njëjtën tryezë në Bruksel, Kurti zbuloi disa detaje, duke dashur të theksoj se ai asnjëherë nuk ka përdorur gjuhë të ashpër apo fyese ndaj Presidentit të Serbisë.
“U bënë shumë aso tryezash. Në ato takime unë kam respektuar gjithmonë rregullat e negociatave. Gjuha e dialogimit është anglishtja dhe gjatë këtyre 3 viteve me këto takime, nuk mund të gjeni asnjë moment të vetëm, ku unë kam përdorur ndonjë fjalë që nuk është e përshtatshme edhe për fëmijët, e që nuk mund të thuhet për palën tjetër.”
Kurti zbulon 3 “fytyrat” e Vuçiç: Ai kundër Kosovës është më i vërteti
Për Albin Kurtin, gjuha e përdorur nga Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe përqasja që ai ka ndaj Kosovës kur flet për mediat dhe popullin e tij, është diametralisht e kundërt nga ajo që përdor kur diskuton ndarazi me ndërkombëtarët.
I pyetur nga moderatorja Alba Alishani në emisionin “Debat” në A2 CNN, nëse Vuçiç është aq i ashpër dhe radikal siç e shohim në prononcimet e tij publike, edhe kur negocion me të në Bruksel, Kurti u përgjigj duke thënë: “Besoj që ajo çfarë thotë publikisht dhe ajo çka ka deklaruar nuk janë të ndryshme, mirëpo ajo çfarë u thotë ndërkombëtarëve në takime ndarës me atë, duket se ata shohin një Vuçiç tjetër e andaj janë sjellur dhe më butë me të”.
Sipas shefit të qeverisë në Prishtinë, janë 3 versione të Vuçiç, të cilat dalin në pah në situata dhe raporte të ndryshme.
“Është e qartë se nuk ka veç një Vuçiç, një është kundër Kosovës, që është më i vërteti. Dhe janë dy të tjerë, një është për konsumin e brendshëm të popullsisë në Serbi dhe një tjetër për politikanët dhe diplomatët ndërkombëtar. Por kjo karshi Kosovës shprehet si publikisht si në takime, nuk mund të them se është e ndryshme.”
Pakt për t’i dhënë PDK-ës, Presidencën? Kurti tregon pse dështuan diskutimet për zgjedhje të parakohshme
“Unë besoj se në zgjedhjet e ardhshme do dalim edhe më të fortë se në ato të shkurtit të vitit 2021.” Me këtë pohim, Albin Kurti tregoi se nuk i merr në konsideratë sondazhet, të cilave u referohen partitë opozitare në Kosovë, të cilat e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje humbëse në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
I bindur për fitoren, por Kurti refuzoi të sqaronte zërat se midis tij dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka patur një pakt për “koalicion”, në këmbim të Presidencës, e cila në mandatin e parë i është “dhuruar” Vjosa Osmanit.
I pyetur në emisionin “Debat” në A2 CNN se përse dështuan diskutimet për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, Kurti tha se partitë e tjera opozitare refuzuan propozimin e PDK për të shpërbërë parlamentin, për të cilin sipas tij Vetëvendosje ishte plotësisht dakord.
“Prej momentit kur unë ndodhesha në vitin e fundit të qeverisjes, isha i interesuar që të takohem me opozitën dhe ta diskutojmë muajin dhe stinën e zgjedhjeve. Nuk iu përgjigjën pozitivisht ftesës sime. Kreu i PDK ka dhënë idenë për shpërndarjen e Kuvendit dhe nëse opozita do ishte pro dhe VV do ishte pro. Për mua në vitin e fundit të qeverisjes nuk ka rëndësi në cilin muaj do mbahen zgjedhjet., por në përgjithësi dihet se në Kosovë zgjedhjet mbahen o në pranverë o në vjeshtë. Nëse shkon mandati deri në fund i bie të mbahen në dimër. Por unë kam besuar se është më e logjikshme që tradita të vazhdohet dhe të mbahen në pranverë ose vjeshtë, në koordinim edhe me opozitën.”
Raporti i ftohtë me Ramën, Kurti: Na ndajnë qëndrimet për Beogradin
Akujt e ngrirë në raportin personal midis tij dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, për Albin Kurtin nuk duhet të merren edhe aq në konsideratë, nëse sheh nivelin e bashkëpunimit në terren midis dy qeverive dhe suksesin e 58 marrëveshjeve të firmosura.
“Ne për këto tre vite i kishim dy mbledhje të përbashkëta të qeverive. Unë mendoj se duhet ti kishim së paku 3 mbledhje. Kemi bërë 58 marrëveshje bilaterale që janë zbatuar shumë mirë. Kemi hapur 26 vendkalime kufitare për rreth 200 mijë banorë në të dy anët e kufirit. Kemi bërë tregun e përbashkët energjetik ALPEX. I kemi dy zyra doganore të Kosovës në Porto Romano dhe në Durrës. Kemi nënshkruar marrëveshjen për hekurudhën Prishtinë-Durrës, që me gjasë përfshin një segment jetik për aspektin historik kulturor të kombit shqiptar, e që është ai Gjakovë-Shkodër.”
Edhe pse nuk janë kursyer aspak në gjuhën me të cilën i janë referuar njëri-tjetrit dhe margjinat e komunikimit bilateral s’kanë qenë fort pozitive, Kurti vlerëson faktin se bashkëpunimi mes ministrave të dy vendeve ka qenë më i miri se çdo qeveri e mëparshme.
“Në kuptimin e punëve të kryera, rezultateve të arritura mendoj se jemi më mirë se të gjitha qeveritë e mëhershme. Edhe ndonjëherë kur është dukur që ne si dy kryeministra nuk i kemi marrëdhëniet e shkëlqyeshme kjo nuk ka vlejtur asnjëherë për ministrat.”
Megjithatë, Kurti ka theksuar se krisja kryesore me Ramën ka ndodhur për shkak të qëndrimeve ndaj Serbisë dhe Ballkanit të Hapur.
“E kemi atë dallimin për çështjen e Ballkanit të Hapur, e qëndrimit karshi Beogradit e me radhë por në kuptimin e afrimit, integrimit Kosovë-Shqipëri unë besoj se janë dramatizuar si karikaturë dallimet, ndërkohë që gjërat pozitive janë heshtur disi.”
Rama nuk u ngrit ta takonte, Kurti zbulon çfarë ndodhi mes tyre në Samitin e Kotorrit
Një shtrëngim i ftohtë duarsh dhe ngurrimi i kryeministrit shqiptar Edi Rama për t’u ngritur nga karrigia ku ishte ulur për të takuar Albin Kurtin në Samitin e Kotorrit më 16 Maj, nxori edhe më tej në pah raportin e ftohtë mes dy liderëve.
Lidhur me atë video që bëri xhiron e rrjetit dhe u komentua gjatë në studiot televizive, shefi i qeverisë së Kosovës ka dhënë sqarimet e tij në intervistën për emisionin “Debat” në A2 CNN.
“Ajo ka qenë dita e dytë në Kotorr. Ne kemi folur ditën e parë, një ditë më herët. Nuk është se shiheshim aty për herë të parë në atë konferencë. Ka qenë një darkë e përbashkët. Po tani pse nuk është ngritur aty nuk e di. Më besoni unë as jam marrë dhe as që merrem me këto gjëra”, tha Kurti pasi moderatorja Alba Alishani e pyeti sesi e pa në rrafshin personal atë qëndrim të Ramës.
Sipas shefit të ekzekutivit kosovar në këtë rast është e rëndësishme që të vijojë bashkëpunimi shumë i arrirë ne terren mes dy qeverive, për të sjellë sa më afër shqiptarët në të dy anët e kufirit dhe për të intensifikuar shkëmbimet tregtare.
Kurti u vendos edhe përballë faktit se Edi Rama këmbëngul se nuk e ka falur për ndërhyrjen në zgjedhjet në Shqipëri me regjistrimin e siglës së Vetëvendosjes për të garuar.
“Unë kisha thënë që mbajeni analizën politike të gjithë shqiptarët kudo që janë, mbajeni mendimin kritik por mos i shikoni raportet mes politikanëve, në këtë rast dy kryeministrat me syrin e Big Brother”, tha ai.
PJESË NGA INTERVISTA:
Ai ka qenë komunikimi juaj i fundit me kryeministrin e Shqipërisë?
Po ai takimi në Kotorr, nuk kemi pasur takime të tjera.
A e ndjeni nevojën e përmirësimit dhe intensifikimit të marrëdhënies, qoftë edhe ndërpersonale me të?
Gjithmonë është mirë të bëjmë më shumë dhe më mirë, por këtë duhet ta bëjmë si shërbyes të popullit që jemi. Domethënë edhe ajo personale ka kuptim nëse është për diçka më shumë se personale. Nëse është diçka që është për të mirën e përgjithshme. Në këtë kuptim besoj se po kanë të drejtë qytetarët që besojnë se do të mund të ishte më mirë, më shumë e kështu me radhë. Por nuk është se puna në terren po na ngec siç mund të besoj ose dëshiroj dikush.
Shumë është aluduar për shkaqet e destabilitetit të raportit tuaj. Kush është shkaku kryesor për këtë distancë tuaj mes kryeministrash shqiptarë?
Nuk mund t’ia bëj analizën vetes, e as kryeministrit Rama. Le ta bëjnë analistët politik këtë gjë, por unë edhe njëherë po e ritheksoj, kemi mundur të bëjmë një ose dy mbledhje qeverish më shumë dhe mbase për shqiptarët kudo që janë shumë prej këtyre pamjeve që dalin kanë qenë të dëmshme, por punët në terren nuk është se na kanë ngecur. Prandaj edhe unë jam i lumtur dhe me shpresë tash që po flasim. Tregu i përbashkët energjetik është një arritje e rëndësishme, gjigande. Besoni për mua nuk është fort e rëndësishme a ngrihen njerëzit në këmbë, a ma japin dorën e djathtë apo të majtë. (A2 Televizion)