Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës në seancën konstituive të mbajtur pasditen e së mërkurës.
Me 66 vota pro, 44 kundër dhe tetë abstenime, Haxhiu mori shumicën e nevojshme për të udhëhequr me Parlamentin. Paraprakisht, 118 deputetë të pranishëm në sallë dhanë betimin për legjislaturën e dhjetë.
Në fjalën e saj të parë si kryetare e Kuvendit, Haxhiu duke përmendur gjykimin për ish-krerët e UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë kërkoi që për çështje që prekin interesin kombëtar të flitet me zë të qartë e me qëndrime të përbashkëta.
“Dihet kush ka qenë agresori, dihet kush ka bërë krime në vendin tonë, ato janë të regjistruara e të dëshmuara nga bota mbarë. Ato krime janë kryer nga Serbia, e cila kurrë asnjëherë nuk u përballë me drejtësinë në mënyrë serioze. Përkundrazi kriminelët e luftës u ricikluan në pushtet dhe u amnistuan. Ne presim që ish krerët e UÇK-të të kthehen sa më parë në vend dhe tek familjet e tyre dhe që këto orvatje të Prokurorisë të marrin fund sa më parë dhe për këtë duhet të jemi bashkë”, tha Albulena Haxhiu, kryetare e kuvendit.
Nga ana e saj, Haxhiu siguroi se detyrën e kryetares së Kuvendit do ta ushtrojë me paanshmëri, integritet dhe përkushtim të plotë institucional.
“Ju ftoj që dallimet tona t’i kthejmë në energji që na shtynë përpara për tu përballur me përgjegjësitë e mëdha që na presin. Kosova e meriton një Kuvend që punon me dinjitet dhe përgjegjësi, qytetarët meritojnë një politik që i dëgjon, që vepron dhe që e mban fjalën”, tha Haxhiu.
Me votim në pako, Kuvendi i Kosovës zgjodhi edhe pesë nënkryetarët e saj.
Nga Lëvizja Vetëvendosje është zgjedhur Ardian Gola, nga Partia Demokratike e Kosovës Vlora Çitaku, ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës Kujtim Shala. Nga radhët e komunitetit serb është zgjedhur Sllavko Simiç i Listës Serbe, ndërsa nga komunitetet e tjera jo shumicë Emilja Rexhepi. (A2 Televizion)