“Më dëgjoi shqetësimet për Kosovën”, Vuçiç për mungesën në BRICS: Faji i Tusk që nuk jam tani me Putinin

Nga Xhevahir Qardaku
24 Tetor 2024, 20:33 | Politikë

Donald Tusk u mahnit aq shumë me Beogradin sa që nisi të flasë serbisht. Kjo u bë shkak që presidenti Aleksandër Vuçiç ta përgëzojë kryeministrin e Polonisë që i foli në gjuhën e tij.

Serioziteti nisi kur në konferencën për shtyp u përmend Rusia. Presidenti serb e përdori kryeministrin polak për të justifikuar refuzimin e ftesës së Putinit për të marrë pjesë në samitin e BRICS.

“Meqenëse është faji i tij që unë nuk jam në Kazan në samitin e BRICS, atëherë ai gjithashtu donte të më dëgjonte, sepse sigurisht, nuk do ta fsheh, kryeministri Tusk do të donte të shihte përputhje të plotë me qëndrimet europiane, pra në lidhje me sanksionet kundër Federatës Ruse. Nuk e fsheh, u përpoqa të shpjegoj qëndrimin e Serbisë dhe të theksoj se çfarë lloj mbështetjeje humanitare dhe financiare i kemi dhënë Ukrainës, si dhe në çfarë mënyre flasim për respektimin e Kartës së OKB-së dhe kam paraqitur qëndrimin e Serbisë”, tha Aleksandër Vuçiç, President i Serbisë, shkruan A2.

Tusk e pranoi dhe iu gëzua kësaj fitoreje përballë alternativës Putin. “Unë e vlerësoj që Vuçiç zgjodhi të takohej me mua në vend të samitit të BRICS, të gjithë e vunë re këtë”, tha Tusk.

Kosovën në këtë konferencë e përmendi vetëm presidenti serb. “Kam folur dhe i kam kërkuar Tuskut të më dëgjojë para së gjithash për çështjen e Kosovës dhe Metohisë, i kam paraqitur faktet dhe i kam kërkuar që të kontrollojë sekuencën faktike që i kam dhënë. Sepse nuk kam dhënë mendimet e mia politike, por kam paraqitur atë që e konsideroj si gjendje faktike”, u shpreh Kurti.

Kryeministri polak tha se vendi i tij mbështet integrimin e Serbisë në Bashkimin Europian duke theksuar se pa të, Unioni nuk do të jetë i plotë. Tusk shtoi se mbështet bashkëpunimin rajonal, veçanërisht Ballkanin e Hapur, duke saktësuar se është një nismë e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos