Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, është angazhuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Lidhur me këtë, priti në takim, Përfaqësuesin Special të Bashkimit Europian për dialogun, Peter Sørensen. “Gjatë takimit, Konjufca e informoi Sørensen se procesi i dialogut tashmë do të jetë nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Në takim u diskutua momentumi aktual në të cilin ndodhet dialogu, si dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi qasjen dhe parimet e nevojshme për të siguruar një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm”, lexohet në deklaratën e ministrisë së jashtme të Kosovës, shkruan A2 CNN.
Më tej theksohet se “Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit europian”. Më herët, delegacioni i Kosovës në dialogun me Serbinë është kryesuar nga kryenegociatori, Besnik Bislimi, i cili nuk është përfshirë në kabinetin e qeverisë së re. (A2 Televizion)