Opozita kritika të forta kryeparlamentarit, LDK përmend “tradhtinë kombëtare”, Tahiri: Pranuat asociacionin

Nga Xhevahir Qardaku
28 Tetor 2024, 18:47 | Politikë

Opozita në Kosovë vërshoi një lum kritikash në drejtim të kryeparlamentarit Glauk Konjufca pas akuzave të lëshuara në drejtim të BE-së. Nga LDK i përmendën kërkesën qeverisë Kurti që ta bënte vetë asociacionin, ndërsa PDK dhe AAK akuzuan pushtetin se pranoi formimin e tij.

Abelard Tahiri, PDK: “Ju e dëgjuat zotëri Konjufca që tha se Republikës së Kosovës nuk mundet me iu imponuar një draft-statut për Asociacionin nga BE-ja se po i merr kompetenca Kosovës dhe kështu me radhë. Por shikoni me 25 tetor të para 1 viti, zotëri Konjufca në një deklarim të tij thotë se draft-statuti i Asociacionit duket se është modern dhe duket se është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Pra po shohim dy Glauka. Po shohim Glaukun e vitit 2023, ku thotë se duket që Asociacioni është në përputhje me Kushtetutën. Pra nuk e thotë këtë qëndrim që e ka tani dhe kemi Glaukun pas 1 viti që tash del me një gjuhë tjetër, që një dokument i tillë nuk mund t’i imponohet Kosovës në këtë formë. Ajo që do të duhej me ndodh është se atë që e tha tani zotëri Konjufca do të duhej me thënë fiks para 1 viti. Këta janë joserioz, këta janë vërtet joserioz. Këto nuk janë qëndrime të një burrështetasi dhe qëndrime shtetërore. Kjo është situatë e mjerueshme, por vetëm një fat e kemi që jemi në prag të zgjedhjeve. Jemi të bindur se vendi do të ketë një qeveri të re dhe që do të nxjerr vendin nga sanksionet”.

Arben Gashi, LDK: “Kësaj qeverie i kemi thënë para dy vjetëve se Kosova e ka obligim ndërkombëtarë dhe duhet të marrë nismën vet. A e dini çka ka thënë kryeministri kjo është tradhti shtetërore. Qëndrimi i LDK-së ka qenë konstruktiv që prej ditës së parë edhe sa i përket statutit të Asociacionit. E kam thënë para jush dhe secilin televizion se Kosova duhet t’i zbatojë obligimet veta por duke garantuar se opinioni i Gjykatës Kushtetuese mbi parimin e statutit të zbatohen.”

Besnik Tahiri, AAK: “Kjo letër këtu është letra e 23 marsit të vitit 2024, ku të tre krerët e shtetit zotohen për themelimin e Asociacionit. Çka doni më shumë se tre nënshkrime të tre udhëheqësve të shtetit që thonë se ne zotohemi se do të themelojmë Asociacionin. Është letra e 15 majit që vjen nga Qeveria e Kosovës nga zvkm Donika Gërvalla e cila po ashtu zotohet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Për çka jemi tu fol. Jemi duke folur për një standard të dyfishtë. Për një standard të paparë të mashtrimit.”

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos