
Emmanuel Macron tha të shtunën se duhet bërë çdo përpjekje për të shmangur përfshirjen e Irakut në luftën në Lindjen e Mesme, që ka rrezik përshkallëzimi, pas një bisede që Presidenti francez pati me kreun e rajonit autonom të Kurdistanit irakian, raporton A2CNN.
Macron publikoi mesazhin e tij në X, pas një sulmi vdekjeprurës në veri të Irakut ndaj ish-grupit paramilitar Forcat e Mobilizimit Popullor (PMF).
“Çdo gjë duhet bërë për të shmangur që Iraku të përfshihet në këtë përshkallëzim aktual,” tha ai.
Forcat PMF, tani pjesë e ushtrisë irakiane, por që përfshijnë disa fraksione pro-Iraniane, thanë se tre luftëtarë të tyre u vranë në sulmin e koordinuar amerikano-izraelit.
Macron tha se i kishte thënë Presidentit të rajonit të Kurdistanit irakian, Nechirvan Barzani, se ai e konsideronte po ashtu “të papranueshëm” sulmin me dron të ndodhur më herët në rezidencën zyrtare të Barzanit.
“Ky zhvillim shumë shqetësues vjen ndërsa po rriten sulmet ndaj institucioneve irakiane, si ato që shkaktuan vdekjen e 6 eshmergëve këtë javë,” shtoi Macron, duke iu referuar anëtarëve të forcave të armatosura të Kurdistanit që u vranë në një sulm raketor iranian të martën.
Qeveria iraniane ka frikë se grupet e armatosura kurde në veri të Irakut mund të futen përmes rajonit të saj kurd, i cili ndodhet në perëndim, pranë kufirit me Irakun. (A2 Televizion)