Pas takimit me liderët politikë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani është shprehur se diskutimet e sotme kanë qenë të fokusuar te pasojat që po përballet Kosova nga zvarritja e këtij procesi nga disbursimi i fondeve te ligjet dhe imazhi i Kosovës. Sipas presidentes Osmani në këtë takim të parë ka një optimizëm minimal, pro që ajo pret një marrëveshje mes tyre dhe në të kundërt do t’i drejtohet gjykatës kushtetuese për zgjidhjen e këtij ngërçi. Gjithashtu ajo theksoi se do të takojë një nga një liderët javën e ardhshme, nëse është e nevojshme.
“Kam inkurajuar të gjejnë zgjidhje për konstituimin e kuvendit. Në këtë takim janë ftuar subjektet kryesore apo bartësit e koalicioneve e me vonë do të takoj liderët e partive jo shumicë. Ky është vetëm takimi i parë, nëse është e nevojshme do të takoj një nga një liderët javën e ardhshme. Diskutimet e sotme kanë qenë të fokusuara të konstituimi i kuvendit.
Disa prej pasojave që po ballafaqohet vendi ynë përfshin zvarritjen e panevojshme të disbursimit të mjeteve nga plani i rritjes afër 900 milionë euro. Pasojat e tjera përfshijnë zvarritjen e panevojshme të miratimit të ligjeve, anëtarësimit në institucione ndërkombëtare por edhe dëmtimi i imazhit të shtetit.
Përgëzoj liderët për qasjen konstruktive pavarësisht pozicioneve te kundërta. Ekziston optimizëm minimal që do të rritet me kalimin e kohës, por që shpresoj se nuk do të zgjasë gjatë. Diskutuam nga zbrazëtirat e diskutueshme kushtetuese, si presidente kam shprehur gatishmërinë që të shohim rrugën përpara nëse është e nevojshme dhe nëse ka zvarritje, atëherë deputetët ose unë si presidente t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese. Në qoftë se do të kishte pajtim nuk kam ndonjë problem ta dërgoj çështjen në kushtetuese, nuk patën kundërshtime, por do të presim dhe pak nëse ka ndonjë marrëveshje. Takimet e diskutimet do të vazhdojnë, dialogu politik është i nevojshëm edhe për të shtensionuar situatën politike”. (A2 Televizion)