Çështja e zgjedhjes së presidentit të ri e zhyti Kosovën në një tjetër krizë politike. Më pak se një muaj pas betimit të qeverisë së re të drejtuar nga Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani shpërndau parlamentin, pas dështimit të përpjekjeve për të zgjedhur kreun e ri të shtetit.
Pak më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, dhe pas një krize politike njëvjeçare që pasoi zgjedhjet e 9 shkurtit të kaluar, kosovarët do të jenë të detyruar t’i drejtohen sërish kutive të votimit.
“Jam këtu para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është një fatkeqësi e madhe për këtë shtet që ata nuk zgjodhën interesin e Republikës së Kosovës. Prandaj sot, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kam nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe, nëpërmjet këtij dekreti, po kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë”, tha Osmani, përcjell A2 CNN.
Më 5 mars ishte afati i fundit kur Kosova do të duhej ta zgjidhte presidentin, 30 ditë para skadimit të mandatit të Osmanit më 4 prill. Seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit, pasi në sallë mungoi opozita.
Në garë ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, të dy nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Si pasojë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i kërkoi Gjykata Kushtetuese e Kosovës që të pezullojë përkohësisht afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri.
Disa juristë kanë interpretuar se Kuvendi duhet ta zgjedhë presidentin brenda 60 ditësh nga fillimi i seancës për zgjedhjen e tij. Megjithatë, Osmani ka thënë se neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.
“Askush nuk do të duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet. Por këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme. Alternativa, zvarritjet, do të krijonin situata shumë më të rrezikshme: një proces i zvarritur pafund, siç e kemi parë gjatë gjithë vitit 2025, dhe një shtet që fillon të relativizojë edhe vetë Kushtetutën e tij”, tha Osmani.
Osmani, e cila shprehu interes për një mandat të dytë, por nuk u propozua nga asnjë parti, propozoi të enjten amendamente kushtetuese për shqyrtim në Kuvend, që presidenti i Kosovës të zgjidhet nga populli dhe jo nga Kuvendi. Sipas saj, ndryshimet nuk do të ishin të vlefshme për zgjedhjen aktuale të presidentit dhe do të hynin në fuqi pas pesë vitesh. Megjithatë, mungesa e kuorumit bëri që ato të mos miratoheshin.
Kryeministri Kurti zhvilloi konsultime me liderët e partive të tjera opozitare, por ato nuk prodhuan një emër konsensual për presidentin. (A2 Televizion)