Partitë publikojnë listat, risi në LDK e AAK, LVV e PDK pa ndryshime të mëdha

Nga Ideal Gola
13 Maj 2026, 17:28 | Politikë

Partitë publikojnë listat, risi në LDK e AAK, LVV e PDK pa

Mbi 900 kandidatë pritet të jenë në garë për deputetë në listat e 23 subjekteve politike në zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë.

KQZ konfirmoi se 18 parti, 3 koalicione, një nisme qytetare dhe një kandidat i pavarur kanë aplikuar brenda afatit të përcaktuar. Prej këtyre kandidatëve, 603 janë burra dhe 314 gra.

Lëvizja Vetëvendosje ka afruar disa emra të rinj por dhjetëshja e parë mbetet e pandryshuar. Ajo prihet nga kryeministri Albin Kurti.

Pjesë e saj është edhe Albulena Haxhiu që po ushtron funksionin e presidentes së Kosovës. Ajo tha se nuk ka asnjë kufizim që ia ndalon garën.

“Do të përpiqem maksimalisht që të jem e kujdesshme në raport me fushatën zgjedhore në kuptimin që të mos ketë ndonjë ndërhyrje ose përdorim të institucionit për fushatë. Kjo është e ndaluar, ju shumë mirë e dini që edhe ligji ka ndalesa në raport me këtë. Nuk e di a do të jetë e lehtë, nuk besoj që do të jetë e lehtë por megjithatë do të përpiqem maksimalisht që të jem në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore”, deklaroi  Albulena Haxhiu.

Pasi refuzoi përfshirjen e Fatmir Limajt në listë, Partia Demokratike e Kosovës e freskoi atë me disa figura të tjera.

“Profesionistë të dëshmuar në punë, në angazhim publik dhe në shërbim ndaj qytetarëve. Mbi 50% e listës së kandidatëve janë prurje të reja, si pjesë e përkushtimit të PDK-së për t’u dhënë hapësirë kuadrove të rinj”, tha Bedri Hamza i PDK.

Ashtu siç pritej, ndryshime të rëndësishme pati te Lidhja Demokratike e Kosovës. Ish-presidentja Vjosa Osmani do të jetë bartëse e listës, duke lënë të dytin kryetarin e partisë, Lumir Abdixhikun.

“110 përfaqësues të një ideje për Republikën; të një Republike me dinjitet, me institucione të forta, me zhvillim, me aleanca të palëkundura perëndimore dhe me njerëz në qendër të saj. Një ekip që bashkon përvojën dhe energjinë e re. Integritetin, profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj Republikës”, u shpreh LDK.

Në listën e LDK-së, dy nga zërat kritikë, Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami janë larguar nga “Top 10”. Vendin e tyre e kanë zënë dy kandidatet e Osmanit, Albena Reshitaj dhe Jeta Statovci.

Të dy këto bashkë me Haxhi Avdylin kanë qenë depuetë me Levizjen Vetëvendosje gjatë lëgjislaturës së kaluar. Për këto largime, nuk pati shumë komente nga partia e Kurtit.

“Janë qytetarët e Republikës së Kosovës ata që do t'i vlerësojnë veprimet e partive politike ose të individëve brenda partive politike”, tha Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë bartës liste dhe kandidat për kryeministër Ardian Gjinin. Kryetari në largim i kësaj partie, Ramush Haradinaj është në vendin e 11 në listë.

Sipas planit të miratuar më herët nga KQZ, procesi i certifikimit të kandidatëve për deputetë, pritet të përmbyllet deri më 15 maj, por paraprakisht, do të shqyrtohet nëse kandidatët përmbushin kriteret ligjore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos