Përgjimet për pazare Kusari Lila-Radoiçiç, përplasje në Kuvendin e Kosovës

Nga Ideal Gola
10 Tetor 2024, 11:59 | Politikë

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur me përplasje pas publikimit të audioinçizimeve ku pretendohet se shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, dakordohet me kryeterroristin Milan Radoiçiç për pagën minimale dhe për të çuar një kandidat shqiptar në Gjykatën Kushtetuese.

Partia Demokratike ka kërkuar që rendi i ditës të ndryshojë dhe të debatohet në lidhje me këto incizime pasi sipas tyre është cenuar siguria kombëtare, raporton A2.

Mirëpo vetë Kusari Lila deklaroi se incizimi është i vjetër dhe se është i montuar, pasi nuk ka kërkuar dakordim me Listën Serbe për çështje si paga minimale.

Ndërsa Kusari Lila fliste në foltore, deputetja e AAK-së, Time Kadrija iu drejtonte me fjalën “spiune” ndërsa ish-zëvendëskryeninistri, tani deputet i pavarur Haki Abazi, rrethoi foltoren dhe pjesën ku ulet kabineti qeveritar me shirita të verdhë ku shkruhet “danger”, transmeton A2.

Ndërsa Lidhja Demokratike vlerësoi se Lëvizja Vetëvendosje pa pikë turpi mbron Kusari Lilën, ndërsa tha se bashkëpunimi me grupet parlamentare nuk arsyetohet me kriminelë si Radoiçiçi.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se qytetarët e Kosovës duhet të dinë cilat janë pazaret e incizimeve pasi ne bisedë nuk është diskutuar për çështje të komuniteteve.

Pasi mazhoranca votoi kundër propozimit të PDK që të ketë një debat në lidhje me incizimet e Kusari-Lila me Radoiçiç, deputetët e kësaj force politike si dhe ligjvënësit e LDK, AAK, por edhe deputetët e pavarur kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës, shkruan A2.

Pas largimit të deputetëve opozitarë, Kuvendi nuk pati kuorum për të vijuar seancën dhe kështu u mbyllën punimet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos