Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, deklaroi se të gjithë politikanët duhet të bashkohen dhe të bëjnë një rezolutë ku të thuhet se “çlirimtarët nuk dënohen në emër të popullit të Kosovës”.
“Jo vetëm Kosova, por e gjithë Shqipëria dhe diaspora duhet të dinë se ky është momenti i fundit që ne duhet të flasim për historinë e Kosovës. Nuk ka politikan që mundet të arsyetojë mungesën e tij këtu mes qytetarëve të Kosovës. Nesër të gjithë politikanët duhet të jenë në Kuvendin e Kosovës dhe të marrin masa seriozisht. Nëse kanë inate personale, të largohen nga pozitat e tyre. Nesër duhet të dëshmojnë nëse e duan me të vërtetë atdheun”, tha Jashari në një lidhje direkte me “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“E para, nesër duhet bashkim. Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa historia e Kosovës. Më e pakta, të bëhet një rezolutë dhe të thuhet se çlirimtarët nuk dënohen në emër të popullit të Kosovës. Në asnjë formë, asnjë gjykatë nuk mund të flasë në emër të popullit. Ne jemi për çlirimtarët. Populli i Kosovës i ka shpallur çlirimtarët të pafajshëm”, shtoi deputetja e PDK-së. (A2 Televizion)