Përplasje LVV-Osmani për firmat. Kosova drejt “një terreni të pashkelur” me Presidentin

Nga Ideal Gola
4 Mars 2026, 23:39 | Politikë

Kosova ka hyrë në orët e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit pa ndonjë marrëveshje dhe me Lëvizjen Vetëvendosje që vendosi të kandidojë ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca.

Partia e Kurtit tha se nuk arriti dakordim me PDK dhe LDK, prandaj vendosi të kandidonte Konjufcën si njeriun e duhur për postin e Presidentit.

Të dy partitë më të mëdha opozitare nuk e pritën aspak mirë veprimin e Vetëvendosjes, shkruan A2.

“Kemi thënë që duhet të ketë marrëveshje politike, që paraprakisht të paraprihet nga marrëveshja politike që të kemi President të zgjedhur, të propozuarin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Bedri Hamza.

Ndërsa Jehona Lushaku Sadriu e LDK u shpreh: “Kjo është një rrugë njëkahëshe, pa krye, është një drejtim nga zgjedhjet e reja të cilat janë totalisht të panevojshme dhe e paraqet tendencën për t'i kapur institucionet kryesore politike në vend”.

Në orët e mbrëmjes të së mërkurës pati edhe një përplasje në distancë mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Presidentes Vjosa Osmani. Vetëvendosje tha se i kishte ofruar Osmanit firmat për të rikandiduar, por ajo nuk kishte pranuar.

Në një reagim zyrtar, Presidenca e quajti gënjeshtër, duke thënë se nuk ka pasur një ofertë të tillë. Por, mori përgjigjen e menjëhershme të partisë së Kurtit që e ftoi të hynte në garë me Konjufcën.

Arbërie Nagavci e LVV tha: “Nëse themi që nuk është e vërtetë, unë sot jam e gatshme dhe garantoj në emër të Lëvizjes që do të ofrojmë votat për të vazhduar në garë tutje”. 

Në anën tjetër, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu kërkoi një tjetër kandidat për President në mënyrë që të ftohet seanca parlamentare: “Derisa nuk kemi së paku dy kandidatë që kanë siguruar mbështetjen e nevojshme prej 30 deputetësh, unë nuk mund të thërras seancë për zgjedhjen e Presidentit”.

Sipas intepretimit të Haxhiut, vendi nuk shkon në zgjedhje të menjëhershme në rast se nuk mbahet seanca për zgjedhjen e Presidentit, duke aluduar se mund të kërkohen sqarime nga Gjykata Kushtetuese: “Nuk përcaktohet saktësisht se çka ndodh nëse Presidenti i vendit zgjidhet pas këtij afati, sepse Kushtetuta thotë se Presidenti duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual, që është data 5. Prandaj, hyjmë në një terren tjetër, shpesh quhet terren i pashkelur”.

Kuvendi i Kosovës ka kohë deri të enjten në mesnatë të mblidhet për të zgjedhur Presidentin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos