Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se administrata amerikane ka bërë punë të mirë në parandalimin e përshkallëzimit të situatës mes Kosovës dhe Serbisë, por theksoi se Beogradi paraqet një kërcënim të vazhdueshëm për Prishtinën.
Në një intervistë për Fox News, Osmani u pyet nëse Kosova dhe Serbia ishin buzë një konflikti në qershor. Osmani tha se fqinjit verior të Kosovës i “pëlqen të shkaktojë probleme herë pas here”.
Ajo tha se Serbia në të kaluarën, kur udhëhiqej nga Sllobodan Millosheviq ishte përgjegjës për një sërë konfliktesh, por edhe tani, sipas saj, në udhëheqjen e Serbisë ka ende njerëz “të cilët pëlqejnë të kapen pas së kaluarës dhe të na kthejnë të gjithëve në të kaluarën, teksa ne dëshiron të shohim nga e ardhmja".
“Presidenti [amerikan, Donald] Trump na ka ndihmuar shumë në mbështetje të paqes, për ta ruajtur paqen dhe për të shpëtuar jetë”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës tha se me Serbinë në vitet e fundit ka pasur një sërë tensionesh, përfshirë edhe sulmin në Banjskë më 2023, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës duke e vrarë një rreshter.
Kosova fajëson Serbinë për këtë rast, por Beogradi mohon se ka gisht në të.
“Ne arritëm ta zmbrapsim atë me mbështetjen e aleatëve tanë të NATO-s. Megjithatë, ekziston një kërcënim i vazhdueshëm që vjen nga Serbia. Në majin e kaluar, padyshim, pati një tjetër përpjekje tensioni, nëse mund ta quaj kështu, dhe kjo administratë ka bërë një punë të mrekullueshme për të parandaluar që këto të përshkallëzohen”, tha Osmani.
Osmani tha se mbështet politikën e Trumpit “paqe përmes forcës”, pasi sipas saj, ky është mesazhi i vetëm që autokratët e kuptojnë.
Muajt e fundit, presidenti Trump disa herë ka deklaruar se ka parandaluar një përshkallëzim mes Kosovës dhe Serbisë. Osmani ka konfirmuar deklaratat e udhëheqësit amerikan, duke thënë se në maj kishte pasur informacione për veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën.
Çfarë tha Trump?
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkroi në rrjetin Social Truth më 15 qershor se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia po “shkonin drejt një konflikti serioz” dhe se lufta ishte në prag të shpërthimit, por se ai e ndaloi atë.
Më 25 qershor, Trump tha se "gjatë javëve të fundit, u morëm me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën, Serbinë. Mendoj se të premten do të kemi vizita nga Kongo dhe Ruanda”. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një konference për media në samitin e NATO-s në Hagë.
Më 27 qershor, duke folur në Zyrën Ovale për përpjekjet e administratës së tij për të zgjidhur konflikte të mundshme, Trump tha se: “…në Serbi dhe Kosovë zgjidhëm një katastrofë të mundshme.”
Një ditë më vonë, më 28 qershor, Trump tha se "për vetëm disa muaj, kemi arritur paqe midis Indisë dhe Pakistanit, Izraelit dhe Iranit, si dhe midis Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës – dhe disa të tjerë gjithashtu".
"Serbia, e dini, po përgatitej të shkonte në luftë me një grup. Nuk dua ta përmend, sepse nuk ndodhi – ne arritëm ta ndalnim. Por, kam një mik në Serbi që më tha: 'Do të hyjmë sërish në luftë'. Dhe nuk dua të them që është Kosova, por është Kosova. Do të niste një luftë e madhe, por ne e ndalëm. E ndalëm për shkak të tregtisë. Ata duan të tregtojnë me Shtetet e Bashkuara. U thashë: ne nuk tregtojmë me ata që hyjnë në luftë".
Më vonë, më 9 korrik, ai përsëriti: “Kam arritur të zgjidh shumë situata, si ajo me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Thashë: a do të luftoni? Ne nuk do të bëjmë tregti. Dhe, duket se kjo ka qenë mjaft e suksesshme”.
Trump e përmendi rastin e Kosovës dhe Serbisë edhe gjatë një takimi me shefin e NATO-s, Mark Rutte, më 14 korrik në Shtëpinë e Bardhë.
“Më konkretisht në fund të muajit maj kemi marrë informacione specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve kam pasur takime me institucionet e sigurisë të cilat më raportojnë si presidente. Jemi siguruar që çdo institucion në Kosovë ka mobilizim të duhur për mbrojtje të vendit”, ka thënë ajo në korrik të këtij viti.
Serbia ka mohuar këto pretendime të Osmanit.
Ndryshe, Osmani në SHBA po merr pjesë në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku po zhvillon takime të ndryshme. Trump pritet t’i drejtohet OKB-së më vonë gjatë 23 shtatorit./ REL (A2 Televizion)