Presioni ndërkombëtar për asociacionin, ekspertët: Kurti nuk do ta dërgojë në kushtetuese

Nga A2 CNN
21 Tetor 2024, 20:15 | Politikë

Dërgimi në Gjykatën Kushtetuese të draft-statutit për Asociacionin është një proces i pamundur. Kështu mendojnë analistët politikë në Kosovë. Në prononcimet për KosovaPress, analistët politikë Dorajet Imeri dhe Arbnor Sadiku, një gjë e tillë shihet vështirë, kjo pasi Kosova gjendet në procesin e para fushatës zgjedhore.

Analisti politik, Dorajet Imeri, thotë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet e arritura, mirëpo nevojitet që Serbia fillimisht të tërheq letrën e dërguar vitin e kaluar në BE, ku theksojnë se nuk do të zbatojnë nene të caktuara të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

“Serbia ka paraqitur një letër në BE, ku përmes të cilës tregon rezervat e saj për zbatimin e kësaj marrëveshje. Shkelje më të madhe të marrëveshjes sa kaq nuk mund të ketë. Serbia nuk është e interesuar që të respektojë marrëveshjen dhe presoni ndaj Kosovës qe e vetme të respektojë marrëveshjen unë konsideroj se është i padrejtë. Kosova dhe Serbia duhet të respektojnë në plotni marrëveshjet e arritura dhe ndër to është natyrisht edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Gjithmonë sipas frymës së Kushtetutës së Kosovës dhe germës së saj”, tha Dorjet Imeri, analist politik.

Për politologun, Arbnor Sadiku, pavarësisht insistimit amerikan që qeveria Kurti të dërgojë në Kushtetuese draftin e Asociacionit, një gjë e tillë është e pamundur për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme më 9 shkurt 2025.

“Tema boshe ose kyçe e cila ka bllokuar të gjitha përparimet në dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është Asociacioni i komunave me shumicë serbe, që Kurti tash e quan vetëmenaxhim. Ata po kërkojnë që Kosova të bëjë hapin e parë dhe mos të predikojë rezultatin që do të ketë Gjykata Kushtetuese për dokumentin në fjalë. Si fillim të nisin procedurën dhe të bëjnë hapin e parë dhe pas kësaj të bisedohet për hapa të tjerë. ShBA-ja është shumë qartë ndaj Kosovës dhe po kërkojnë diçka që Kurti është pajtuar në Bruksel dhe me aneksin e Ohrit më pas”, tha Arbnor Sadiku, Politolog.

Në tetor të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian, përmes përfaqësuesit special për dialogun, Miroslav Lajçak i kanë dorëzuar kryeministrin Albin Kurti draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pavarësisht kërkesës se aleatëve ndërkombëtarë për ta dërguar të njëjtin në Gjykatë Kushtetuese për interpretim, kreu qeveritar nuk ka pranuar ta bëjë një gjë të tillë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos