Të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të respektohen, përfshirë themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kështu u shpreh ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Europën dhe euroazinë, James O’Brien në një interviste për radio televizioni publik serb, gjatë qëndrimit në Beograd. Në këtë drejtim, ai tha se duhet që në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës të kalojë një draft-statut për Asociacionin. Zyrtari i lartë amerikan deklaroi po ashtu se duhet të ketë një diskutim më të gjerë lidhur me integrimin e serbëve që jetojnë në Kosovë, shkruan A2.
“Asociacioni është një hap i rëndësishëm. Është e rëndësishme të shënohet përparim edhe para formimit të Asociacionit. Është e rëndësishme që njerëzit të jetojnë normalisht, të regjistrohen martesat, fëmijët që lindin dhe në të gjitha këto të punojmë njëkohësisht. Obligimet ekzistojnë që nga viti 2015, kur u nënshkrua marrëveshja për Asociacionin. Nuk mund t’iu ofroj një afat kohor, por më e rëndësishmja është që serbët të jetojnë sikurse qytetarët evropianë”, tha James O’Brien, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit.
O’Brien foli gjithashtu për ato që i quajti veprime të paakoridnuara të Prishtinës me Uashingtonin, për të cilat siç tha ka pasoja. Pasoja më e madhe sipas tij ishte që shtetet europiane penguan anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.
“E gjitha kjo për shkak të moskoordinimit”…Ndërkohë zyrtari amerikan mirëpriti vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e pikëkalimit kufitar në Merdarë për mallrat serbe, ndalesë që ishte vendosur në korrik të vitit 2023. (A2 Televizion)