Propozimi i Osmanit për President nga populli, Berisha dhe Rrustemi: Nuk është e mundur diçka e tillë

Nga A2 CNN
29 Prill 2026, 21:10 | Politikë

Ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, dhe deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, komentuan propozimin e zonjës Vjosa Osmani që Presidenti të zgjidhet nga populli.

“Kjo nuk çon kurrfarë zgjidhje të shpejtë sepse ne jemi në krizë këtu”, tha Berisha në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

Sipas tij, “amandamentet edhe po të hyjnë në procedurë tani i duhen gjashtë muaj ditë deri te ratifikimi”.

“Prandaj nuk i shoh që janë tendencë për të krijuar zgjidhje. Zhvillimet e 5 marsit në seancë, qoftë i kryesues së Parlamentit për ta dërguar çështjen e presidentit dhe gjykatën kushtetuese me kërkesën për masë juridike, qoftë i Presidentes së këtyre amandamenteve, është strategji e përbashkët për të blerë kohë. Caktimi i datës së zgjedhjeve në periudhën kur vijnë mërgimtarët është me një arsye: në qeverinë Kurti 1, 52-ditëshin kur i konfiskuan të gjithë softuerët me të dhënat e qytetarëve, është me qëllim të manipulimit të votës së tyre. Kurse zonjës Osmani iu desh kjo kohë për ta zhvilluar partinë e saj”, shtoi më tej Berisha.

Ndërsa Rrustemi u shpreh: “Sa i përket çështjes së zgjedhjes së Presidentit të drejtpërdrejtë në Kosovë kërkon ndryshime kushtetuese. Tashmë nuk ka as Kuvend, nuk ka as mundësi për diçka të tillë. Është diskutuar, thjesht s'ka pasur kohë. Dakord kemi qenë si VV, por është thjesht e pamundur proceduralisht”.

Rrustemi shtoi se populli e ka të qartë planin e opozitës.

“Populli e ka të qartë. Opozita ka një plan të thjeshtë. Aludon, përpiqet, angazhohet që Vetëvendosja të bjerë nën 40 deputetë, që këta, bashkë me Listën Serbe, domethënë me deputetët e Vuçiçit, të kenë mundësi të krijojnë institucionet, të zgjedhin qeveri e President përkundër fituesit të zgjedhjeve. Kuvendi i Kosovës i ka 120 deputetë. Këta po presin që VV të jetë nën 40 deputetë që pastaj të lirohen 80 deputetë në anën tjetër dhe të bëhen bashkë kundër Vetëvendosjes. Le ta themi troç: në Kosovë ka dy modele qeverisëse që i kundërvihen njëra-tjetrës. Vërtetë ka disa parti politike, sepse jemi sistem shumëpartiak dhe parlamentar, me një zonë zgjedhore dhe proporcional, por ama e vërteta është që mentaliteti i qeverisë i PDK-së, zhvatës e korruptiv nga brenda, dhe me kompromise me Serbinë, ku e ke lënë Veriun në duart e Radojçiçit, është përballë konceptit të Vetëvendosjes, qeverisje të ndershme e të drejtë nga brenda, luftë kundër korrupsionit, konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve të lartë e politikanëve, zbatim të ligjit e të Kushtetutës në veri, eleminim të strukturave paralele atje dhe natyrisht ndërprerje të ciklit të koncesionit për Serbinë”, u shpreh Rrustemi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos