Qeveria i hap rrugën ndërtimit të zonës industriale të mbrojtjes në Gjakovë

Nga A2 CNN
27 Nëntor 2025, 13:01 | Politikë

Qeveria i hap rrugën ndërtimit të zonës industriale të

Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar shpronësimin e pronave të paluajtshme shoqërore të KBI “Ereniku”, duke i hapur rrugë ndërtimit të zonës industriale të mbrojtjes në Gjakovë. Kryeministri Albin Kurti deklaroi se ky vendim i cili po merret në “Ditën e Forcës”, shënon një moment të veçantë.

Sipas tij, në këtë zonë do të ndërtohet fabrika e parë e municioneve në Republikën e Kosovës, e cila pritet të përfundojë brenda muajit të ardhshëm, në bazë të kontratës së nënshkruar me një prodhues turk. Municionet e para të dala nga kjo fabrikë parashikohen në fund të vitit 2026.

“Me miratimin e saj hapim rrugë në ndërtesën e fabrikës së municioneve të parë së llojit të saj në Republikën e Pavarur  që do t’i shërbejë ushtrisë sonë, do ta rrisë sigurinë tonë dhe do ta ngrejë edhe më tej kapacitetin tonë profesional. Këtë vendim e bëjmë më të veçantë që po e miratojmë në ‘Ditën e Forcës’. Ndërtimi i kësaj fabrike për të cilën tashmë kemi kontratë të nënshkruar me prodhuesin turk, do të përfundojë brenda muajit të ardhshëm. Municionet e para nga kjo fabrikë do të dalin në fundin e vitit 2026”, u shpreh Kurti, raporton A2 CNN.

Krahas prodhimit të municioneve, A2 CNN raporton se zona industriale do të shërbejë edhe për investitorë të tjerë me të cilët qeveria është në kontakt, me synimin për të prodhuar pajisje të ndryshme ushtarake, përfshirë dronë ushtarakë dhe civilë “Made in Kosova”.

“Përveç fabrikës së municioneve, kjo zonë do t’i shërbejë edhe për investitorë të tjerë me të cilët jemi në kontakt dhe do të prodhojmë lloje të ndryshme të produkteve ushtarake, dronët ushtarakë dhe civilë: ‘Made in Kosova’’.

Kurti theksoi se gjatë mandatit të tij buxheti i Mbrojtjes është katërfishuar, ndërsa numri i ushtarëve është dyfishuar. Për mandatin e ardhshëm, ai tha se qeveria parashikon mbi 1 miliard euro investime në mbrojtje, me synim forcimin e ushtrisë dhe rritjen e sigurisë së Republikës së Kosovës.

“Në këtë mandat qeverisës ne kemi katërfishuar buxhetin e Mbrojtjes dhe kemi dyfishuar numrin e ushtarëve. Ushtrinë e kemi pajisur me sistemet më moderne të armatimeve dhe municioneve nga shtetet anëtare të NATO-s. Mbi 430 milionë euro blerje të armatimeve janë investuar në këtë mandat. Në mandatin tonë të radhës do të investojmë mbi 1 miliard euro në mbrojtje, duke rritur ushtrinë dhe siguruar Republikën, duke ngritur Forcën e Sigurisë së Kosovës e forcojmë partneritetin me aleatët”, u shpreh Kurti.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos