Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, tha se nuk është optimist që më 15 prill – kur është caktuar seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës – të mund të formohet edhe ekzekutivi i ri.
Këto deklarata ai i bëri pasi u regjistrua si deputet i legjislaturës së nëntë në Kuvendin e Kosovës.
“Nuk jam optimist që nesër do të votojmë për Qeverinë”, tha Rashiç.
Në seancën e 15 prillit, në rend dite është betimi i deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Rashiq tha se do të marrë pjesë në seancë dhe se do të votojë për kryeparlamentarin, që duhet të propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje, "nëse ka ndonjë propozim që është i arsyeshëm".
Rashiq, që aktualisht është ministër në detyrë për Kthim dhe Komunitete, tha se procesi i formimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, është një proces i gjatë.
“Nuk është hera e parë që mund të ndodhë një ngërç i shkurtër. Ju rikujtoj se më 2014 kemi pasur një situatë të tillë, atëherë po ashtu kam qenë deputet, por pas dy-tre muajsh u zgjidh ajo krizë. Në këtë rast, po konsideroj që varianti më i mirë do të ishte që partia më e madhe të formojë qeverinë sepse çdo opsion tjetër do ta komplikonte procesin, qoftë të demokratizimit, qoftë të udhëheqjes qeveritare, qoftë të afrimit të Kosovës drejt BE-së. Prandaj, opsioni më i mirë në këtë moment është që partia më e madhe të marrë përgjegjësinë e udhëheqjes”, tha Rashiq.
Ai ka fituar një ulëse nga dhjetë sa janë të rezervuara në Kuvendin e Kosovës për komunitetin serb. Nëntë të tjerat i ka fituar Lista Serbe, partia e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, e ka të drejtën që të propozojë kryeparlamentarin dhe të mandatohet e para për formimin e Qeverisë. Si për kryeparlamentarin, ashtu edhe për Qeverinë, këtij subjekti i duhen 61 vota.
Më herët, kreu i këtij subjekti, Albin Kurti, kishte deklaruar se planifikonte që po të njëjtën ditë të votohej për kryetarin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
LVV-ja e kryeministrit në detyrë Kurti, po ashtu më herët kishte deklaruar se preferonte të krijonte institucionet e reja me komunitetet joserbe, por së voni e ka pranuar se i duhet bashkëpunimi edhe me partitë shqiptare që kanë fituar ulëse në Kuvend.
Në Kuvendin e Kosovës, nga 120 ulëse, 20 janë të rezervuara për komunitetet joshumicë: dhjetë për komunitetin serb dhe dhjetë për komunitetet e tjera.
Por, partia e Kurtit nuk i ka të sigurta as dhjetë votat nga komunitetet joserbe, që tradicionalisht e kanë mbështetur koalicionin qeverisës. Shumica nga partitë joserbe kanë thënë se do ta votonin një ekzekutiv të LVV-së, por disa kanë paraqitur disa kërkesa.
Nëse LVV-ja s’arrin t’i sigurojë 61 vota për Qeverinë, atëherë është në dorën e presidentes Vjosa Osmani që të mandatojë partinë që e siguron se i ka votat për ekzekutivin.
Partia Demokratike e Kosovës ka dalë e dytë në zgjedhje me 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 20 ulëse dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma kanë tetë deputetë.
PDK-j ka thënë se është e gatshme që të marrë përgjegjësinë për formimin e ekzekutivit, nëse i vjen radha. Kjo parti, që ka thënë se nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt, ka thënë se megjithatë preferon një koalicion qeverisës me partitë që legjislaturën e kaluar ishin në opozitë./ REL (A2 Televizion)