“Më e rëndësishme është që ta zgjedhim Presidentin sesa ta votojmë ligjin”.
Në fillim Presidenti i ri, më pas ndryshimi i ligjit për Gjykatën Speciale. Është ky qëndrimi i ushtrueses së detyrës së Presidentes në Kosovë, Albulena Haxhiu, ndërsa u shpreh besimplotë se Bekim Sejdiu do të rikthehet në garë si kandidat kur të ketë garanci për votat e nevojshme.
“Prioritet mbi prioritetet është që ta kemi Presidentin sepse edhe vetë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi nuk mendoj se do të ndiheshin që e kanë mbështetjen e shtetit nëse ne me vetëdije e çojmë vendin në zgjedhje. Edhe pas zgjedhjeve, situata nuk do të ndryshojë dhe sërish problemin e njëjtë do ta kemi në tavolinë. Atëherë, pse jo tash, pse duhet për të dytën herë të na çojë në zgjedhje çështja e Presidentit?”, tha Haxhiu.
Haxhiu ftoi të gjitha partitë për bashkëpunim lidhur me çështjen e presidentit në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e jashtëzakonshme, siç tha ajo, veçanërisht pas verdiktit dënues për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Duke parë krizën dhe afrimin e afatit të fundit për këtë proces, ushtruesja e detyrës së Presidentes paralajmëroi se mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për mandatin e saj: “Sa i përket mandatit tim, Kushtetuta nuk flet për këtë çështje, realisht flet që u.d nuk mund të qëndrojë më shumë se gjashtë muaj. Ka pasur interpretime të ndryshme, kanë përmendur çështjen e parimit të vazhdimësisë institucionale dhe të tjera si këto. Unë kam pritur që meqë Gjykata Kushtetuese e ka marrë rolin e shkruajtjes së Kushtetutës, përkatësisht po bën nene pa qenë fare në Kushtetutën e Kosovës, kam pritur që në Aktgjykimin e fundit do ta trajtojnë edhe këtë aspekt, mirëpo nuk e kanë trajtuar fare”.
Në rast të moszgjidhjes së Presidentit të ri deri më 6 tetor, vendi do të shkojë në zgjedhjet e parakohshme brenda 45 ditësh, të cilat do të ishin të tretat me radhë brenda më pak se një vit. (A2 Televizion)