Konferenca për shtyp, Maran dhe Hysaj: Finlanda e vështirë, por duam fitore

Nga Dea Kozma
2 Tetor 2026, 18:31 | Futboll

Synim për të marrë 3 pikë ndaj Finlandës! Trajneri Rolando Maran dhe fubollisti Elseid Hysaj dolën në konferencën për shtyp përballë gazetarëve ku shpalosën dhe një herë objektivat për duelin e radhës në Ligën e Kombeve.

Në letër, Finlanda është kundërshtari direkt në grup dhe për këtë arsye kuqezinjtë kërkojnë me detyrim vetëm fitore, edhe pse do të jetë një transfertë e vështirë.

“Ndryshimi mes Bjellorusisë dhe Finlandës? Janë dy skuadra që kanë sisteme të ndryshme loje, por janë shumë të organizuara. Finlanda është një skuadër e vështirë, bën të luajë keq kundërshtarin. Janë të ngjashëm në mënyrën se si rrinë në fushë, shumë të ngushtë, që i mohojnë shpejtësinë ekipit kundërshtar. Për të qenë një ekip konkurrues, duhet të shtyjmë shumë dhe të japim më shumë se 100%. E pres këtë nga të gjithë, kam fatin që kam djem me këto karakteristika e me përkushtim”, tha Maran, shkruan A2.

Nga ana tjetër, mbrojtësi shkodran Elseid Hysaj tregoi se pavarësisht situatës që po kalon me klubet, ndjehet mirë ndërsa bëri një koment dhe për të ardhmen e tij: “Kemi një skuadër shumë të fortë. Grup i fortë, si Finlanda dhe Bjellorusia kanë gati të njëjtin nivel si ne. Ishte objektivi ynë për të qenë të parët dhe ta kalojmë këtë grup. Ne jemi skuadër në evolucion, duhet të kërkojmë më shumë nga secili. Kemi trajner të ri që po na jep një dorë për të bërë lojë më të bukur dhe më sulmuese. Për tani jam shumë i kënaqur. Kombëtarja më ndihmoi. Duhet të tregoja se jam në formë sepse u bënë shumë muaj që nuk luaja. Besoj do hapet ndonjë gjë e re. Po bisedoj me disa skuadra, por asgjë zyrtare”.

Aktualisht, Kombëtarja shqiptare është në vendin e parë të grupit me 2 fitore dhe 6 pikë të plota, ndërsa Finlanda e ndjek pas me 4 pikë. Për këtë arsye, është konsideruar një përballje direkte për kreun e grupit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos