Bekim Sejdiu mbetet kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për president, pavarësisht tërheqjes së tij nga gara. Kështu u shpreh kryeministri Albin Kurti të mërkurën, teksa kërkoi takime të reja me opozitën, gjashtë ditë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e kreut të shtetit.
“Sa i përket kandidatit, ne e kemi kandidatin. Kandidati është profesor Bekim Sejdiu”, tha Kurti.
LVV-ja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kishin propozuar Sejdiun si kandidat të përbashkët më 31 gusht. Por, një ditë më vonë, gjashtë deputetë të LDK-së u shprehën kundër kandidaturës së tij, çka e shtyu ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese të njoftonte tërheqjen më 14 shtator.
Kurti nuk sqaroi nëse kishte biseduar me Sejdiun për një rikthim të mundshëm në garë apo nëse ai ishte i gatshëm të kandidonte sërish, por u shpreh optimist për zgjidhjen e çështjes.
Kurti foli edhe për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se do të bënte gjithçka të mundur për korrigjimin e vendimit. Ai i kërkoi ndihmë Shqipërisë në këtë aspekt.
Kurti ka bërë të ditur se brenda kësaj jave qeveria do të kthejë përgjigje për Projektligjin për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale, i kërkuar nga PDK-ja. (A2 Televizion)