Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është gati për t’u bërë pjesë e NATO-s. Në fjalimin e saj mbajtur në Prishtinë me rastin e paradës ushtarake për Ditën e Pavarësisë, Osmani vlerësoi edhe një herë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e vendit, nën uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kosova është gati për NATO. Vajzat dhe djemtë tanë me uniformë janë dëshmi se ky shtet ka bij dhe bija të gatshëm t’i shërbejnë atdheut me nder, me përkushtim dhe të kontribuojnë për paqen globale. Sot Kosova është më e fortë se kurrë, sot Kosova është më e përgatitur se kurrë më parë, sot Kosova është më e vendosur se kurdoherë për të ecur përpara. Republika jonë 18-vjeçare nuk ka frikë nga përgjegjësia. Është një shtet që e di se liria kërkojnë punë, vizion dhe mbrojtje të së vërtetës me çdo kusht”, tha Osmani, përcjell A2.
Osmani i bëri thirrje të rinjve që të mbrojnë flamurin dhe të punojnë për një të ardhme më të ndritur për shtetin. (A2 Televizion)