Mungesa e Kuvendit, Kosova rrezikon fondet e BE dhe reformat

Nga Ideal Gola
28 Prill 2025, 20:08 | Politikë

Të martën do të bëhet përpjekja e tetë për të konstituuar Kuvendin e Kosovës duke zgjedhur kreun dhe kryesinë e re të këtij institucioni. Ndërsa partitë parlamentare në të njëjtën kohë shprehin vullnet dhe akuzojnë njëra-tjetrën për bllokim, koha po ecën për disa reforma dhe miratim të marrëveshjeve që do të sillnin përfitim për qytetarët.

Pasojat konsiderohen serioze, ndërsa nuk po trajtohen dhe tema urgjente si ajo e shtrenjtimit të energjisë elektrike që nxori në rrugë disa herë qytetarët për të protestuar.

“Pasojat janë në dy rrafshe, në rrafshin e jashtëm në kuptimin e jashtëm që nuk ka Kuvend të konstituuar dhe nuk prodhohet një Qeveri që do të ndiqte një politikë të jashtme, ndërsa në rrafshin e brendshëm ndalen të gjitha reformat disa që kanë nisur dhe disa që mund të nisen në rrafshin ekonomik, social dhe në rrafshin e jetës së përditshme të qytetarëve të Kosovës”, thotë Naim Jakaj nga IKD.  

Kuvendi do të duhej të plotësonte edhe disa vende vakante për anëtarë bordesh që kanë mbetur në disa insitucione në varësi të saj.

“Ne sot kemi mungesë të dy anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese, dy anëtarë në Komisionin e Pavarur për Media, dy anëtarë në Bordin e Fondit të Kursimit Pensional dhe disa organe kolegjiale dhe Kuvendi do të duhej me qenë përgjegjës dhe fajtor që këto organe kanë mbetur pa përfaqësues”, shton Jakaj.

Ndryshe nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, Kosova ende nuk ka përfituar fonde nga faza e para-financimit nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Kjo është lidhur si me angazhimin në dialogun me Serbinë, por gjithashtu ende nuk është ratifikuar marrëveshja për kredi në Kuvend.

“Kosova ende nuk mund të ketë qasje në fondet e Bashkimit Europian për shkak të një marrëveshje të cilën nuk e ka ratifikuar Kuvendi i Kosovës dhe nëse vazhdon një gjë e tillë të ndodhë që Kuvendi të mos konstituohet mundet që këto fonde të vonohen dhe t’i humbet vlera edhe nëse merren ato pas një kohe të caktuar”, thekson Jakaj.

Nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje doli e para por ende nuk ka arritur të sigurojë61 vota për të zgjedhur kryetaren e Kuvendit, ndërsa partitë që deri dje ishin në opozitë refuzojnë të votojnë për Albulena Haxhiun si propozim për këtë post. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos