Kriza politike, ndërkombëtaret pa ndonjë përpjekje për të zgjidhur situatën

Nga Ideal Gola
28 Prill 2025, 20:12 | Politikë

Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i pakonstituuar, ndonëse ka kaluar një kohë e konsiderueshme që nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare.

Për dallim nga situatat e mëparshme, kur ambasadat e vendeve perëndimore luanin një rol më aktiv në ndërmjetësimin dhe lehtësimin e proceseve paszgjedhore, kësaj radhe duket se angazhimi i tyre është më i zbehur, shkruan A2.

Në të kaluarën, shpesh ishin vetë ambasadorët që zhvillonin takime intensive me liderët politikë për të siguruar formimin e shpejtë të institucioneve si dhe deklarata politike që rrisnin presionin tek partitë.

Analistja Magbule Shkodra: “Ne duhet të dëshmojmë që jemi shtet serioz dhe ne kemi një presidente e cila ka ende disa leva në dorë që mund ta zhbllokojë këtë ngërç politik dhe mendoj që përderisa nuk janë shteruar të gjitha opsionet përbrenda shtetit tonë edhe reagimi i tyre do të jetë i kësaj i natyre, deklarative, por jo edhe si kemi parë në të kalurën që të ulen në tavolinë dhe në njëfarë mënyre të detyrohen për ndoënjë marrëveshje”.

Ambasadori gjerman dhe ai britanik në Kosovë si dhe Bashkimi Evropian kanë bërë thirrje që institucionet të krijohen sa më shpejt. Shtetet e Bashkuara, që kanë qenë të zëshme gjatë gjithë proceseve të rëndësishme, nuk kanë reaguar deri më tani. Në Kosovë, Ambasada e SHBA është ende me një të ngarkuar me punë.

“Ne jemi mësuar që Shtetet e Bashkuara të reagojnë dhe besimi im është gjithmonë në Shtetet e Bashkuara se po të mos jenë ato të involvuara në të gjithë këtë shtetndërtim dhe në proceset më tutje ne do të dyshoj që do të kishim arritur këtu dhe sa herë që kemi reagim të SHBA gjithmonë ka një rezultat pozitiv për Kosovën kështu që kjo pakës po më brengos”, shton më tej Shkodra.

Raportet me Shtetet e Bashkuara kanë qenë një nga çështjet më të diskutuara gjatë mandatit të Qeverisë së kaluar me akuza ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti se ka dëmtuar ato me veprimet e tij, kryesisht në veri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos