Takimi i parë i presidentes Vjosa Osmani me kryetarët e partive më të mëdha shqiptare në Kosovë nuk solli rezultat rreth zgjidhjes së ngërçit politik që do të çonte në konstituimin e Kuvendit.
Pas takimit, Osmani tha se kishte “optimizëm minimal” por që mund të rritet me kalimin e kohës.
Ajo paralajmëroi edhe takime të tjera me liderët gjatë javës së ardhshme dhe konfirmoi se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese nëse vlerëson se nuk ka ndonjë zgjidhje.
“Unë nuk kam dashur që tani të ndërmarr një hap [t’i drejtohet Kushtetueses] që mund të shkaktojë më shumë polarizim sesa unifikim e ajo nuk është çka i duhet Kosovës mirëpo në qoftë se shihet e nevojshme sepse asesi nuk dalin nga kjo bllokadë atëherë nuk mund të lejojmë rrezikim të interesave shtetërore por duhet patjetër të ecim përpara”, tha Osmani.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk doli para gazetarëve për të treguar për takimin, por kundërshtarët e tij politikë thanë se nuk pati ndonjë ndryshim në qëndrime.
“Ne shkuam në takim për t’i shprehur qëndrimet tona, për të dhënë kontributin për të gjetur një zgjidhje nga kjo situatë, nuk besoj që ka dal tym i bardhë siç po shihet, nuk e di a po shihni që ka tym diku”, tha kreu i PDK, Memli Krasniqi.
Për kreun e Lidhjes Demokratike, tha se ishte shqetësuese fakti që Kurti nuk e sheh si urgjencë konstituimin e Kuvendit.
“Ajo që më habiti shumë ishte fakti që na tha se s’ka asnjë urgjencë, që kjo pritje është çështje mediatike e jo e popullit të Kosovës e për këtë nuk pajtohem fare është çështje shumë urgjente. Të lësh vendin pa institucione, të mblidhet 16 herë pa asnjë rezultat dhe pa asnjë shpresë në horizont është çështje shumë urgjente për Republikën e Kosovës”, tha kreu i LDK, Lumir Abdixhiku.
Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sërish përsëriti qëndrimin për një kryeparlamentar që do të ishte i pranueshëm për të gjithë.
“Kemi dhënë idenë tonë që me ec përpara pra që do ta votonin një kandidat për kryetar Kuvendi një person unifikues, në mënyrë që të kalojë në etapën tjetër, edhe kuptohet e kemi mirëpritur këtë mundësi të bisedës me presidenten”, u shpreh kreu i AAK, Ramush Haradinaj.
Gjatë së enjtes, Osmani, priti në takim edhe përfaqësuesit e subjekteve të të gjitha komuniteteve joshumicë, ku dëgjoi këndvështrimet e përfaqësuesve të secilit komunitet lidhur me rrugën përpara për të siguruar funksionimin kushtetues të Kuvendit. (A2 Televizion)