Supremja e Kosovës i kërkon PZAP-së të shqyrtojë kërkesën për rivotim në Junik

Nga A2 CNN
22 Tetor 2025, 14:45 | Politikë

Supremja e Kosovës i kërkon PZAP-së të shqyrtojë

Gjykata Supreme ka pranuar ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke i kërkuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të shqyrtojë kërkesën për rivotim në Junik për zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor.

Supremja nuk e ka pranuar “si të drejtë dhe të ligjshëm” vendimin e PZAP-së për të hedhur poshtë ankesën e AAK-së kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ka argumentuar se kjo ankesë është dashur që të trajtohet në bazë të meritave dhe jo të hidhet poshtë si e palejuar.

PZAP-ja e kishte vlerësuar si të palejuar ankesën e AAK-së, e cila veç tjerash, kishte kërkuar që të shpallen të paligjshme zgjedhjet komunale dhe Komuna e Junikut të shkojë në rivotim “për shkak të shkeljeve të cekura në ankesë, të cilat kanë ndikuar në rezultatin zgjedhor”.

Më 14 tetor, AAK-ja ishte ankuar në PZAP, duke pretenduar se ka dyshime për manipulime gjatë procesit zgjedhor në Komunën e Junikut, konkretisht rritje të pazakontë të numrit të votuesve vetëm në dy muajt e fundit deri në shtator “në mënyrë të papërputhshme me trendin e viteve të kaluara dhe me numrin real të banorëve rezidentë në komunë, përfshirë në listat e votuesve të personave me mbiemra që nuk ekzistojnë në asnjë familje apo lagje të njohur të Junikut, shtim të votuesve që nuk jetojnë, banojnë dhe nuk kanë asnjë lidhje faktike me territorin e komunës”.

AAK-ja kishte argumentuar se këto pretendime mund të verifikohen lehtësisht nga institucionet përkatëse, përmes regjistrave civilë dhe evidencave tatimore, por edhe përmes dëshmive nga komuniteti lokal.

“Çështja është kthyer në rivendosje, në PZAP”, tha Supremja, duke kërkuar nga PZAP-ja që në rivendosje t’i evitojë “shkeljet e evidentuara ligjore dhe të vendos në mënyrë meritore lidhur me ankesën e subjektit politik AAK”.

Në vendim, Supremja tha se PZAP-ja gabimisht vendosi që ta hedhë poshtë ankesën, pasi AAK-ja ishte ankuar për parregullsitë gjatë ditës së votimit dhe jo kundër rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Lidhur me pretendimet për rritjen e numrit të votuesve në Junik, Prokuroria Themelore në Pejë më 16 tetor konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka nisur hetimet nëse në këtë komunë kanë votuar persona që nuk janë persona të këtij territori.

Nga Prokuroria Themelore në Pejë thanë se po shikohet nëse ka elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale që ndërlidhet me keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Junik të drejtë vote për zgjedhjet lokale të 12 tetorit kishin 4.846 persona. Nga ta, votuan 2.519 persona.

Ndërkaq, në zgjedhjet lokale të vitit 2021, kjo komunë kishte më pak votues të regjistruar, përkatësisht 4.527. Atëbotë, në zgjedhje morën pjesë 2.276 votues.

Juniku, në bazë të rezultateve preliminare, do të zgjedhë kryetarin në rundin e balotazhit, kur do të përballen kandidati për kryetar komune nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ruzhdi Shehu, dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë Kosovës, Agron Kuçi./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos