Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara diskuton sot raportin e ri gjashtë mujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, mbi punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).
Raporti, do të prezantohet në seancë nga kreu në detyrë i UNMIK-ut, Milbert Dongjoon Shin, ku pritet të tregojë në seancë se është bërë pak përparim në zbatimin e marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe se tensionet midis Beogradit dhe Prishtinës janë ende të pranishme, shkruan A2.
Ndër momentet kyçe të raportit është vijimi i operacionit të autoriteteve të Kosovës për mbylljen dhe marrjen në kontroll të institucioneve në veri të drejtuara nga Serbia.
Beogradi dënoi ashpër mbylljen e këtyre institucioneve, të cilat u kritikuan edhe nga aktorët ndërkombëtarë, përfshirë BE-në dhe OKB-në. Vetë UNMIK-u shprehu shqetësimin e tij për këto lëvizje nga Prishtina dhe përsëriti thirrjen që të gjitha çështjet e hapura të zgjidhen brenda kornizës së dialogut të Brukselit dhe sot pritet qe Shin t’i përsërisë këto mesazhe. (A2 Televizion)