Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, qëndroi për vizitë në Prishtinë, ku u prit nga Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Në takimin bilateral me Kurtin u diskutuan marrëdhëniet ndërshtetërore, zbatimi i marrëveshjeve ndërqeveritare dhe projektet infrastrukturore me interes të përbashkët, përfshirë hekurudhën Prishtinë–Durrës, si dhe bashkëpunimi në sektorë të ndryshëm strategjikë.
Në takimin me Presidenten Vjosa Osmani u riafirmua koordinimi i ngushtë në politikën e jashtme dhe angazhimi i përbashkët në iniciativa ndërkombëtare, përfshirë Bordin e Paqes, shkruan A2.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Rama mori pjesë edhe në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të Ahmet Shalës, ku komentoi procesin në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, duke e cilësuar kërkesën për dënim me nga 45 vjet burg si politikisht të motivuar: “Çështja është që ata nuk janë thjesht idiotë, ata janë instrumente të një gjykate, e cila është edhe më politike fatkeqësisht sesa gjykatat e Serbisë në raport me Kosovën”.
Rama deklaroi gjithashtu se Presidentja Osmani ishte kërcënuar për dy vite pasi nuk kishte lejuar bastisjen e zyrës së saj nga prokurorët e Speciales: “Është kërcënuar sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidentit të Kosovës, se medemek do kërkonin dhe aty provat e krimeve kundër njerëzimit”.
Nga ana tjetër, Osmani theksoi se gjykimi është i padrejtë dhe se historia e luftës çlirimtare duhet mbrojtur me krenari: “Këtë histori, këtë të vërtetë e këtë triumf ne duhet ta mbrojmë me krenari në çdo kohë e vend, kudo në botë, sepse UÇK-ja është ideali më i fuqishëm i ndërtuar nga shqiptarët ndër shekuj”.
Gjatë ditës, Rama mbajti edhe një leksion të hapur me studentë dhe gjimnazistë në Prishtinë. (A2 Televizion)