Përplasja diplomatike në Shtëpinë e Bardhë, mes Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe Presidentit të Ukrainës, Zelensky, ka nxitur shqetësime në Kosovë. Natyrshëm shtrohet pyetja: A mund të përballet Kosova me fat të ngjashëm në mosmarrëveshjet e saj gjatë dialogut me Serbinë?
Analistët vlerësojnë se në një realitet të ri gjeostrategjik, Kosova duhet të bëhet “më e dëgjueshme”, më fleksibël e më pragmatike në politikën e jashtme, pasi Shtetet e Bashkuara janë aleati kyç i saj.
Sipas tyre, situata aktuale është pasojë edhe e politikave të gabuara të liderëve politike në Kosovë që kanë çuar në tejzgjatje të dialogut.
Politologu Fitim Mulolli tha për A2 CNN: “Raportet e interesit gjeostrategjik, për tre dekada kanë qenë të përbashkëta dhe janë mbështetur nga SHBA si në aspektin e sigurisë dhe atë të ndërtimit të demokracisë në rajon dhe Kosovë, kjo duhet të ruhet si aset në vazhdimin e rivendosjes së marrëdhënieve nga qeveria e re me administratën e Presidentit Trump”.
Profesor Dashamir Bërxulli thekson se pikënisja e qeverisë së Kosovës për marrëdhëniet me SHBA duhet të jetë letra që Presidenti amerikan Donald Trump dërgoi me rastin e pavarësisë, ndërsa pohon se stili i administratës Trump nuk i toleron mosmarrëveshjet.
Ndërkohë, kryeinspektori i AKI, Burim Ramadani, thekson se është imediate nevoja për krijimin e institucioneve të reja, në frymë me politikën e jashtme perëndimore, ndërsa pohon se çdo marrëveshje e ardhshme duhet të ketë garanci në aspektin e sigurisë për Kosovën.
Gjatë mandatit të parë si President, Trump 2017-2021, ndërmjetësoi një marrëveshje ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, por ajo mbetet kryesisht e pazbatuar. (A2 Televizion)