Përplasje për një votë, AAK: Anëtari i KQZ po ushtron ndikim gjatë numërimit

Nga Erjon Dervishi
3 Mars 2025, 18:21 | Politikë

Një fletëvotimi e dëmtuar është bërë objekt debati mes anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje Sami Kurteshi dhe një komisioneri të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Anëtari i KQZ-së Sami Kurteshi, gjatë numërimit të fletëvotimeve të ardhura me postë është akuzuar nga koordinatori i vëzhguesve të AAK-së, se ka tentuar për të ndikuar në shpalljen e vlefshmërisë së një vote ani pse ajo kishte qenë e dëmtuar.

“Ai thotë është e pavlefshme, por nuk vendos as ti as ai, vendosin ata. Nëse ty ta merr mendja që të është bë e padrejtë, e ke të drejtën e ankesës në PZAP. Llogaritjet nuk mundem me i pa, se ti llogaritë ndryshe unë ndryshe, por prej pozitës të vëzhguesit, nuk vendosi dhe nuk është presion. Kurrkush nuk po iu thotë juve me u ndalë dhe mos me i këqyrë. Unë e kam ndikimin në zyre të KQZ-së, atje e ngriti dorën. Një person që kryen punën me nderë, hiç nuk ka nevojë me u tut prej askujt, ka kaluar ajo kohë”.

Ndërsa, koordinatori i vëzhguesve të AAK-së, Lavdim Mehani shtoi se të njëjtën votë të dëmtuar të AAK-së në Deçan, para tre ditësh vëzhguesit e LVV-së kanë insistuar ta shpallin të pavlefshme.

“Para tri ditëve, vëzhguesit e LVV-së, kanë insistuar me e shpallë një votë të AAK-së në Deçan të pavlefshme, për shkak se e ka prerjen, ka ndodhur, është shpallur e pavlefshme edhe e kanë krijuar atë standard me atë prerje. Sipas informacioneve Samia ka ardhur te një tavolinë dhe i ka thënë komisionerit shpalle këtë të vlefshme, derisa ka qenë e njëjta votë, e prerë poshtë. E llogarisim si ushtrim ndikimi ose tentim për të ndikuar për ta shpallur të vlefshme apo pavlefshme”.

Edhe Egzon Pacolli, vëzhgues i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka përshkruar situatën që solli përplasjen.

"Diskutimi ka filluar në momentin kur zotëri Kurteshi ka filluar të ju bëjë presion anëtarëve të KQZ-së. Këtu është krijuar një standard, fletëvotimet të cilat nuk janë të plota nuk mund të shpallen të vlefshme. Ka filluar nga dita e parë e numërimit, është me vendim të PZAP-së prej 2017-ës dhe i njëjti zotëri Kurteshi, votën e pavlefshme donte që me presion ta bëjë votë të vlefshme, atëherë patjetër që erdhi reagimi ynë. Ja kemi bërë me dije që neve nuk na lejohet të bëjmë presion........Është bërë rutinë kjo, sa herë të vjen Kurteshi këtu ka ndonjë përplasje, ofendime".

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, është duke vazhduar numërimi i votave me postë.

Sipas përditësimit të fundit në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri më 3 mars ora 00:54 janë numëruar 124 kuti të votimit nga 187 sa janë apo 66.31 për qind. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos