“Ushtria serbe të kthehet në Kosovë”, Rusia: NATO po dështon, “shqiptarizimi” me hapa alarmantë

Nga Rosalba Bejdo
20 Shtator 2024, 20:12 | Politikë

Rusia mbështet synimin e Presidentit Aleksandër Vuçiç për rikthimin e forcave serbe në Kosovë. Këtë e thotë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, e cila thekson se një lëvizje e tillë është në pajtim me rezolutën 1244.  

Sipas Zakharovës, iniciativa e Presidentit serb për mbrojtjen e serbëve në Kosovë tregon se ata nuk shohin mundësi tjetër: “Personeli i NATO-s ka treguar joprofesionalizëm sepse në situatë krize nuk kanë ofruar dhe nuk kanë dashur të mbrojnë dhe sigurojnë barazinë e qytetarëve”.

Zakharova propozoi edhe tërheqjen e atyre që i quan vendime të paligjshme dhe të njëanshme të Kurtit në veriun e Kosovës, përfshirë mbylljen e institucioneve paralele serbe, bankave dhe postës së Serbisë atje: “Çelësi i normalizimit të marrëdhënieve është që të ashtuquajturat autoritete të Kosovës të përmbushin detyrimet për të cilat janë pajtuar në marrëveshje të ndryshme, veçanërisht krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që do të kishte mundësi të gjera dhe një lidhje të drejtpërdrejtë me Beogradin në mbrojtjen e interesave të serbëve në Kosovë”.

Sipas zyrtares ruse, pavarësia e Kosovës është rezultat i ndarjes barbare të Serbisë pas bombardimeve të vitit 1999. Ajo akuzoi Perëndimin se përgjatë 25 viteve kanë sponsorizuar të ashtuquajturin “projekt kosovar”, siç e quan, për të legalizuar shkëputjen e tokës nga territori serb.

“Ai proces ka kulmuar që kur Albin Kurti erdhi në pushtet në Prishtinë. Shqiptarizimi po bëhet me një shpejtësi alarmante. Ata po i dëbojnë serbët nga toka e tyre dhe po përpiqen të fshijnë çdo gjurmë të trashëgimisë së tyre historike në ato zona”, deklaroi zyrtarja ruse. 

Zakharova shton më tej se SHBA nuk mund të jetë ndërmjetës i ndershëm dhe as mund të respektojë marrëveshjet bazë, pasi po vepron në dëm të paqes dhe stabilitetit duke mbështetur, siç thotë, banditët e tyrë në Prishtinë. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos