Vjen reagimi i parë i Prishtinës zyrtare për votën e Asamblesë Parlamentare pro Kosovës në Këshillin e Evropës. Presidentja Osmani deklaroi se sot Kosova shënoi një moment historik në rrugëtimin e saj evropian.
“Votimi i sotëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është një dëshmi e përkushtimit tonë për drejtësi, barazi dhe për parimet themelore të demokracisë”, deklaroi presidentja Osmani.
Ajo falënderoi të gjitha ata që nëpërmjet votës mbështetën qytetarët e Kosovës dhe kauzën e tyre për të drejta të njeriut.
“Urime Kosovës dhe të gjithëve që kanë kontribuar në këtë arritje historike! Edhe një hap drejt anëtarësimit të plotë!”, e mbyll mesazhin e saj presidentja e Kosovës.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reagoi pas vendimit të Asamblesë parlamentare të KiE-së. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë së Kosovës theksoi se shpreson që faza e ardhshme do të mbyllet me sukses.
“Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë”.
Sipas tij, me pranimin e Koosvës, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut.
"Nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut. Faleminderit të gjithëve. Urime të gjithëve!”- shkruan Kurti. (A2 Televizion)