Viti i Ri vjen më herët për Vetëvendosjen, festë me fishekzjarrë në Prishtinë. Kurti-mbështetësve: Po na e bëni dimrin, verë

Nga A2 CNN
28 Dhjetor 2025, 23:48 | Politikë

Mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje kanë festuar më herët se zakonisht Vitin e Ri këtë herë, duke shijuar spektaklin e fishekzjarrëve në sheshin Garibaldi në Prishtinë, pas shpallje së rezultateve paraprake të zgjedhjeve të parakohshme, ku partia e tyre rezulton forcë e parë me gati 50% të votave.

Në shesh ishte i pranishëm edhe Albin Kurti, i cili i është drejtuar simpatizantëve me tone falënderuese. “Me LVV-në, me partinë Guxo, me partinë Alternativa dhe me PShDK, e keni një koalicion, një subjekt politik në të cilin mund të llogarisni gjithherë. Dhe, mbi të gjitha, ju faleminderit që sonte, dhe jo vetëm sonte, po na e bëni dimrin verë e politikën pranverë. Të gjitha premtimet tona do t’i përmbushim. Na qëndroni pranë që t’ju qëndrojmë edhe më pranë, dhe Kosova të ecë përpara si Republikë, si popull si shoqëri, në ekonomi, arsim e kulturë, në mbrojtje, siguri e qëndrueshme”, mësohet të ketë thënë Kurti, përcjell A2 CNN.

Viti i Ri vjen më herët për Vetëvendosjen, festë me

Më herët, në konferencë për mediat, Kurti e quajti rezultatin si më të thellin në historinë e Kosovës. “Fitoi populli i Kosovës dhe Republika. Urime fitorja më e madhe në historinë e vendit. Tani na presin shumë punë përpara. Rezultati i sotëm tregon se duhet të ecim para pa vonesa. Sa më parë të certifikohet rezultati aq më shpejt do të vijojmë me projektet”, tha Kurti në konferencën e parë për mediat pas shpalljes së rezultatit paraprak, përcjell A2 CNN.

“Ftoj nga tani partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, për ligjet e mira dhe për interesin publik të qytetarëve të Republikës. Edhe një herë urime, secilit pa dallim, fitoren historike, që është në rrugë të mbarë të tejkalojë edhe 14 shkurtin 2021. Ishte një ditë e gjatë përveçse e bukur dhe e rëndësishme”, shtoi ai.

Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 49,79% të votave në zgjedhjet e parakohshme të Kosovës, të zhvilluara këtë të diel. Rezultati paraprak i publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e nxjerr partinë e Albin Kurtit forcë të parë, ndjekur nga PDK 21,19%, LDK me 13,77% dhe AAK me 5,74%. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos