Zgjedhjet e 28 dhjetorit, KQZ certifikon rezultatin, hapet rruga për institucionet e reja

Nga Ideal Gola
10 Shkurt 2026, 11:41 | Politikë

Një vit pas zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit, që e futën vendin në krizë politike dhe e çuan drejt një procesi të ri zgjedhor, është hapur rruga për krijimin e institucioneve të reja funksionale.

43 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës dhe në një mbledhje që zgjati vetëm 4 minuta, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në lidhje me ankesat pas shpalljes së rezultatit përfundimtar u konfirmuan edhe nga Gjykata Supreme.

Gjashtë ankesa janë hedhur poshtë, ndërsa iu njoh e drejta Listës Serbe për rezultatin e saj.

“Janë parashtruar ankesat dhe vendimet e fundit lidhur me këto ankesa i kemi pranuar sot nga Gjykata Supreme me çka është hapur rruga për certifikimin e rezultatit. Asnjë ndryshim në rezultat të shpallur nuk është bërë nga vendimet që janë marrë lidhur me ankesat”, u shpreh Kreshnik Radoniqi, kryesues i KQZ.

Në legjislaturën e dhjetë, Kuvendi i Kosovës do të përbëhet nga 120 deputetë që përfaqësojnë 15 subjekte politike parlamentare, si dhe të gjitha komunitetet etnike që jetojnë në vend, në përputhje me përcaktimet ligjore.

Sipas rezultatit përfundimtar, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 57 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 22, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6 deputetë.

Procesin zgjedhor të 28 dhjetorit e shoqëruan manipulime të evidentuara brenda listave të subjekteve politike, çështje që riktheu kërkesat për plotësim dhe ndryshim të legjislacionit zgjedhor, me synim adresimin e këtyre problematikave.

“Prapë nuk kemi arritur në tërësi të adresojmë secilën çështje problematikë që kanë qenë të transmetuar edhe prej zgjedhjeve të mërparshme para ndryshimit të ligjit por edhe me këto probleme dhe sfida që i kemi hasur në zgjedhjet e fundit parlamentare por edhe të atyre të 9 shkurtit, pra qoftë në rastin e diasporës, votimit me postë, qoftë në rastin e numërimit të votave të subjekteve politike dhe veçanërisht të kandidatëve”, tha Arianit Elshani anëtar i PDK.

Për shkak të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe raportit të numrave që posedon mazhoranca e re parlamentare, seanca për konstituimin e Kuvendit dhe ajo për formimin e Qeverisë nuk pritet të shoqërohen me zvarritje procedurale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos