Bashkimi Europian duhet të bëjë të qartë të gjitha konturet për Kosovën, në mënyrë që ky vend të mos mbetet një zonë gri në hartën e Evropës. Ky është një nga konkluzionet e debatit në Komitetin për Politikën e Jashtme të PE.
Në raportin e përgatitur nga Riho Terras, raportuesi për Kosovën në PE, u fol edhe për mangësitë e politikës kosovare, shkruan A2. Gjatë debatit në PE u kërkua që Kosova ta konstituojë sa më shpejt Kuvendin, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, dhe ta formojë Qeverinë. Raportuesi Terras tha se pret që BE-ja të marrë rol më aktiv në Ballkanin Perëndimor dhe që Komisioni i ri Evropian dhe përfaqësuesja e lartë e tij, Kaja Kallas, të jenë në krye të këtij angazhimi.
“BE-ja duhet të heqë masat ndaj Kosovës, që u ndërmorën në vitin 2023, për shkak të situatës së tensionuar në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe - sepse ato nuk janë korrekte. Edhe pesë vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, duhet ta bëjnë një gjë të tillë, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i integrimit të Kosovës në BE”, u shpreh Terras.
Nathalie Loiseao foli në emër të Grupit të Liberalëve dhe mbështeti tekstin e draft-raportit. Ajo kërkoi që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të ringjallet dhe që palët t’i zbatojnë obligimet e marra.
Në raport shprehet shqetësim për gjendjen jo të kënaqshme në Kosovë sa i përket korrupsionit dhe kërkohet që, pos reformave ligjore, të ketë edhe rezultate të dukshme në hetime dhe dënime të rasteve. Dokumenti shpreh, gjithashtu, mbështetje për procesin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe përshëndet emërimin e Peter Sorensenit në postin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për këtë dialog.
(A2 Televizion)