Mesditën e së enjtes, në qendër të Skënderajt, në një nga lokalet e këtij qyteti, dy zyrtarë të lartë politikë janë përfshirë në një përleshje.
Zëvendësministri i Financave, Hysni Mehani, që drejton edhe qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Skënderaj, tha se është sulmuar nga kryetari i kësaj komune, Sami Lushtaku, i Partisë Demokratike të Kosovës.
Si pasojë e këtij sulmi, Mehani dhe një tjetër aktivist i Vetëvendosjes, Bahri Zabeli, pësuan dëmtime dhe kërkuan ndihmë mjekësore në Spitalin e Mitrovicës, shkruan A2.
Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, bashkë me Mehanin ishte edhe deputetja e legjislaturës së shpërndarë, Arjeta Fejza që deklaroi para mediave se nuk ka pasur asnjë komunikim paraprak me Lushtakun: “Pa asnjë lloj komunikimi paraprak me zotëri Lushtakun, ai u afrua dhe e sulmoi zëvendësministrin Mehani. Fillimisht me telefon, pastaj me dorë, pastaj edhe me gotë, siç keni pasur mundësinë me pa edhe dëmin, të cilin e ka në fytyrën e tij. Kur sekretari i qendrës sonë, Bahri Zabeli, tentoi të ndërhyjë për ta qetësuar situatën, me i nda pak, mos të vazhdojë ajo përplasja fizike, ai u sulmua edhe nga disa persona të tjerë përreth, të cilët unë nuk i di se kush janë, as nuk i njoh, por ishin bashkë me zotëri Lushtakun në atë moment”.
Lushtaku, përmes një reagimi në rrjete sociale, mohoi të ketë qenë i përfshirë vetë në përleshje, por thotë se ishet reagim qytetar pas fyerjeve të Mehanit: “Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmojë në Skenderaj. E kam një jetë në shërbim të vendit kurse etiketat si ‘Sami Serbia’ qytetarët nuk i tolerojnë më prandaj edhe reaguan”.
Lëvizja Vetëvendosje e dënoi sulmin duke ftuar Partinë Demokratike të Kosovës të distancohet nga veprimet e Lushtakut. Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë kërkoi nga organet e drejtësisë të ndërmarrin veprimet e nevojshme: “Qeveria e Republikës së Kosovës e dënon këtë sulm qyqar e të papranueshëm që shpërfaqë mendësinë banditeske. Veprimet e tilla nuk na trembin e nuk na shtyjmë të tërhiqemi nga gara politike në asnjë qytet. Nga kjo mbledhje u bëmë thirrje institucioneve dhe organeve të rendit dhe drejtësisë që me urgjencë të ndërmarrin veprimet e nevojshme ndaj përgjegjësve për këtë sulm”.
Prokuroria Themelore e Mitrovicës konfirmoi se është duke e hetuar rastin dhe janë në proces intervistimi të dëshmitarëve dhe të dyshuarve për këtë ngjarje.
Zyrtarisht, Partia Demokratike e Kosovës nuk ka reaguar ende për ngjarjen, por eksponentë të kësaj partie e mbështetën Lushtakun duke akuzuar Albin Kurtin se është përgjegjës për nxitje të urrejtjes. (A2 Televizion)