Pse nuk protestuan PDK dhe AAK kundër kryetares së Speciales? Ish-këshilltari i Thaçit: I zhgënjyer!

Nga A2 CNN
29 Nëntor 2023, 21:43 | Kosova

Në pritjen me tymuese, gaz lotsjellës dhe një marshim qytetar në mbështetje të ish-luftëtarëve të UÇK-së që iu rezervua sot në Prishtinë, kryetares së Gjykatës Speciale Ekaterina Trendafilova, ra në sy mungesa e PDK-së dhe partisë Nisma që kanë komandantët e tyre Hashim Thaçi e Fatmir Limaj në Hagë, por edhe mungesa e mbështetjes morale nga AAK e Ramush Haradinajt.

I vendosur përballë këtij fakti ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Artan Behrami tha në “Ditari” i A2CNN se ndihet i zhgënjyer nga qasja që partitë parlamentare në Kosovë i bënë protestës së sotme.

Ky ishte ndër marshet më masive që është organizuar në Kosovë. Mesazhi i qytetarëve të Kosovës është dhënë. Ne po flasim  për parti parlamentare dhe jo parlamentare. PSD është jo parlamentare dhe shfrytëzon edhe rrugët jo parlamentare për të adresuar shqetësimet e drejta që ka. Personalisht jam i zhgënjyer me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend që nuk ndërmorën asnjë hap për të adresuar disa çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Disa grupe parlamentare në rastin e Gjykatës Speciale duhet të krijojnë një komision, i cili paguan një ekspert ndërkombëtar që bën evaluimin dhe ecuritë e kësaj gjykate.

Më tej ai u ndal te Trendafilova duke thënë se ajo nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe po ashtu nuk i respekton simbolet e tij.

Sa i përket Gjykatës Speciale, Behrami tha se në tre vite institucioni përveçse ka shpenzuar miliona euro për të rregulluar imazhin në media, nuk ka përmbushur asnjë prej detyrave të përcaktuara, që përkojnë kryesisht me çështjen e trafikut të organeve.

Ai po ashtu nënvizoi se Gjykata Speciale ka humbur betejën në sallën e gjyqit dhe po investohet për ta zhvendosur vëmendjen në terrenin politiko-diplomatik.

Ajo nuk i respekton simbolet e Kosovës nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe raportimin e vetëm e bën në UMNIK përmes EULEX-it. Trendafilova ka ardhur në Kosovë sepse Prokuroria e Gjykatës Speciale betejën në sallën e gjyqit tashmë e ka humbur dhe po mundohet ta zhvendosë në terrenin diplomatiko-politik dhe kancelaritë e Bashkimit Europian dhe duke u mundur të përmirësojë imazhin e saj në media. Gjykata Speciale investon për imazhin më shumë se kryeministri i Shqipërisë Rama dhe ai i Kosovës Kurti, të dy së bashku. Në këtë periudhë tre vjeçare Gjykata Speciale ka investuar me miliona euro në PR, në komunikimin me mediat, për të përmirësuar imazhin e tyre dhe jo për të raportuar apo adresuar çështjen e trafikut të organeve për të cilën kjo gjykatë është ndërtuar dhe votuar në Parlamentin e Kosovës.(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos