Autoritetet e Kosovës, nuk I kanë dorëzuar ende Bashkimit Europian një raport lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
Kështu e ka justifikuar zëdhënësi Peter Stano, mungesën e një reagimi konkret nga blloku, lidhur me sulmin terrorist në Zveçan ku mbeti i vrarë polici I Kosovës Afrim Bunjaku.
“Fillimisht, hetimi duhet të bëhet nga autoritetet kosovare. Nëse po i referoheni incidentit në Banjskë, të 24 shtatorit, kjo është diçka që ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe autoritetet kosovare janë përgjegjëse për hetimin dhe ofrimin e një raporti të plotë hetimi. Kjo nuk ka ndodhur ende, kështu që nuk mund të vazhdojmë pa pasur rezultatet e hetimit.”
Sipas Stanos, përfshirja e mundshme apo mbështetja nga ana serbe për sulmin e 24 shtatorit, duhet të jetë objekt i hetimit të autoriteteve në Prishtinë, raporti per te cilin sic tha, ose nuk është përfunduar ose nuk i është vënë ende në dispozicion Brukselit.
Por, qeveria e Kosovës I ka hedhur poshte pretendimet e Stanos.
Zëdhdnësi Përparim Kryeziu replikoi se Kosova ka përpiluar një raport prej 48 faqesh, të cilin e ka dorëzuar në BE dhe në secilin shtet anëtar.
“Si qeveri e Republikës së Kosovës, brenda kompetencave tona, kemi përpiluar një raport 48-faqesh në lidhje me sulmin terrorist dhe paramilitar, të cilin e kemi dorëzuar Bashkimin Evropian dhe secilin shtet anëtar të vitit të kaluar. Këtë informacion besoj që zëdhënësi Stano duhet të ketë.”
Ai ka thënë se për Qeverinë e Kosovës është shqetësuese që 9 muaj pas sulmit në Banjskë nuk ka aktakuzë nga Prokuroria e Kosovës për Milan Radoicic por edhe masa nga BE për Serbinë. (A2 Televizion)