Mbrojtja e grave në një kohë kur konfliktet janë në rritje si dhe përfshirja e tyre në procese paqeje u vlerësua si shumë e rëndësishme nga pjesëmarrësit në edicionin e dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që po mbahet në Prishtinë.
Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës, u shpreh: “Në një kohë kur konfliktet globale vazhdojnë dhe dalin kërcënime të reja, agjenda për gruan paqen dhe sigurinë është më kritike se kurrë. Nuk është vetëm një kornizë e politikave të projektuar me mençuri, por është një zotim i yni ndaj rimendimit të sigurisë për t’i dhënë prioritet parandalimit dhe për t’i mbrojtur të drejtat dhe mirëqenien e grave në çdo hap dhe në mënyrë që përshtatet më së miri me nevojat e tyre”.
Duke kujtuar të kaluarën e përgjakshme në Ballkanin Perëndimor, në Prishtinë u ritheksua edhe vendosmëria për bashkëpunim, përparim e zhvillim të qëndrueshëm për paqe dhe siguri.
Bajram Begaj, Presidenti i Shqipërisë, theksoi: “Gratë kanë mbajtur barrën më të rëndë të këtyre konflikteve. Ato janë trajtuar si shënjestra të dhunës e torturës me qëllim poshtërimin e komuniteteve dhe pastrimin etnik. Këto konflikte na kujtojnë me dhimbje çmimin e paguar kaq shtrenjtë, veçanërisht nga gratë”.
Dhuna seksuale u dënua ndërsa u kërkua drejtësi për të gjitha gratë që kanë përjetuar një krim të tillë.
Natasha Pirc Musar, Presidente e Sllovenisë, deklaroi: “Ne dënojmë fuqishëm të gjitha llojet e dhunës seksuale. Nuk duhet përdorur. Është e papranueshme dhuna seksuale si instrument i luftës dhe frikësimit. Nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri për këto krime”.
Në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë u kërkua që gratë të përfshihen në të gjitha fushat e parandalimit të konflikteve.
Talat Xhaferi, kryeministër i Maqedonisë së Veriut, tha: “Lufta në Ukrainë është një përkujtues i fortë i domosdoshmërisë së përfshirjes së grave në të gjitha fushat e parandalimit të konflikteve dhe përpjekjeve për të ndërtuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë. Kontributi i tyre është i domosdoshëm edhe në përshtatjen e politikave me realitetin e ri”.
Roli i grave në promovimin e paqes u tha se është i rëndësishëm në një kohë kur tensionet janë sërish në rritje në Ballkanin Perëndimor.
Hillary Clinton, ish-Sekretare amerikane e Shtetit, theksoi: “Paqja nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, veçmas tani kur tensionet në rajonin e Ballkanit edhe një herë po
përshkallëzohen, teksa lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon dhe forcat antidemokratike në botë nxisin përçarje dhe urrejtje. Prandaj, forume të tilla janë të rëndësishme. Gratë nuk janë vetëm viktima të dhunës dhe pabarazisë. Gratë janë promovuese të paqes dhe përparimit”.
Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë do të vijojë edhe gjatë së martës. (A2 Televizion)