Një tjetër rast spiunazhi ka ndodhur në Kosovë. Prokuroria Speciale ka ngritur një aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Jelena Gjukanoviç. Shtetasja e Kosovës, pjesë e komunitetit serb, akuzohet se nga një datë e pacaktuar dhe deri në momentin e arrestimit në shkurt të këtij viti ka kryer aktivitet kriminal.
“Në cilësinë e zyrtares të Misionit të OSBE-së në Kosovë, me vetëdije dhe me dashje ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
E dyshuara mbante postin e “Zyrtares së Programit Kombëtar” në Qendrën Rajonale të OSBE-së në rajonin e Mitrovicës. Ajo akuzohet nga Prokuroria Speciale se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për interes të BIA-s.
Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë cenuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, si dhe kanë vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë.
Prokuroria Speciale thekson se përmes udhëzimeve që kishte marrë nga një i dënuar tashmë për spiunazh, gjatë takimeve zyrtare dhe përpilimit të raporteve të OSBE-së, për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës vazhdimin e masës së paraburgimit dhe dënimin e saj konform ligjeve në fuqi. (A2 Televizion)